April 30, 2024
Maqedoni

Osmani: Është detyrë e jona njerëzore të dënojmë gjenocidin që të mos ndodhë më kurrë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot mori pjesë në një diskutim të hapur për bashkësponsorizimin e rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë nga Maqedonia e Veriut, ku theksoi se dënimi dhe kujtimi i gjenocidit të njohur ndërkombëtarisht në Srebrenicë është detyrë njerëzore, njoftojnë nga MPJ.

Njëherit, Osmani theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ka vendosur jo vetëm ta mbështesë, por edhe ta bashkësponsorizojë rezolutën e Kombeve të Bashkuara për të kujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.

“Dënimi i gjenocidit është një detyrë universale njerëzore dhe nuk ka lidhje me asnjë përkatësi. Në vitin 2010, Kuvendi ynë mori vendim lidhur me Srebrenicën, duke pranuar Rezolutën e Parlamentit Europian. Pra, ne si shtet nuk kemi pasur asnjëherë dilemë për atë që ndodhi në Srebrenicë, kur në një ditë u vranë 8372 civilë dhe nuk mund të quhet ndryshe. Kritikat më të mëdha gjatë ditës së djeshme ishin: përpjekja e Ministrit të Jashtëm për t’u prishur me Serbinë mike. Përkundrazi, kjo nuk ka lidhje me Serbinë, nuk ka lidhje me popullin serb, sepse dënimi i gjenocidit tejkalon çdo lidhje diplomatike dhe marrëdhënie ndërmjet dy vendeve dhe qytetarëve të dy vendeve. Është detyra jonë njerëzore të dënojmë, të promovojmë faktet që kjo të mos ndodhë kurrë”, tha Osmani.

Në diskutimin e sotëm të hapur me temën: “Maqedonia e Veriut është bashkësponsoruese e rezolutës së OKB-së për kujtimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë”, Osmani, thuhet në njoftimin e MPJ-së, hodhi poshtë akuzat se qëllimi i këtij akti të Ministrisë është përkeqësimi i marrëdhënieve bilaterale të shtetit me Serbinë fqinje, duke pretenduar se bëhet fjalë për qëndrimin e shtetit ndaj krimit kundër njerëzimit që institucionet kompetente ndërkombëtare e kanë cilësuar si gjenocid dhe se si i tillë nuk duhet mohuar.