April 29, 2024
Rajon - Botë

OKB : Numri i të prekurve nga shembja e digës Kakhovka mund të rritet në 40 mijë

Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se 17 mijë persona janë prekur nga përmbytjet pas shembjes së digës Kakhovka në Ukrainë dhe se kjo shifër mund të rritet në 40 mijë, transmeton Anadolu.

Një konferencë javore për media u mbajt nën moderimin e Rolando Gomez, Shef i Departamentit të Medias dhe Marrëdhënieve me Jashtë të Njësisë së Informacionit të Zyrës së OKB-së në Gjenevë.

Zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Shabia Mantoo, tha se është e tmerrshme që pas shembjes së digës Kakhovka, krahas vendbanimeve në rajon, nën ujë kanë mbetur qyteti Kherson që ndodhet 60 km larg.

“Sipas zyrtarëve ukrainas, krahas 80 qytezave dhe fshatrave në rajonin Kherson, nën ujë kanë mbetur plotësisht ose pjesërisht edhe mijëra hektarë tokë bujqësore. Në rajonin që kontrollohet nga qeveria ukrainase, nga përmbytjet janë prekur 17 mijë persona dhe kjo shifër mund të rritet në 40 mijë”, tha Mantoo.

Nga kjo janë prekur edhe mijëra persona të cilët ndodhen në rajonet nën kontrollin e përkohshëm ushtarak të Rusisë, njoftoi Mantoo, e cila tha: “Deri më tani nga rajoni janë evakuuar ose janë larguar rreth 2.200 persona”.

Mantoo bëri të ditur se në rajon, uji i pastër dhe higjiena sanitare janë nevojat më të rëndësishme dhe se qindra mijëra njerëz nuk kanë qasje në ujin e pijshëm të sigurt.

Pasi informoi se me tërheqjen e ujërave në rajon do të paraqiten pasoja serioze humanitare, Mantoo theksoi se rajoni Kherson është një prej rajoneve më të prekura nga minat tokësore në vend.

Në rajon po përjetohet problem në qasjen për ujë të pijshëm

Koordinatorja e OKB-së për çështjet humanitare për Ukrainën, Denise Brown, e cila mori pjesë në takim përmes internetit, deklaroi se në rajon po përjetohet një situatë dramatike dhe se përmbytja që po zhvillohet me shpejtësi, i ka zënë në befasi njerëzit.

Në këtë mënyrë qasja për ujë të pijshëm është një problem i madh në rajon, tha Brown, duke shtuar se ka nevojë për më shumë ushqime për njerëzit që zhvendosen.

Brown po ashtu tha se për shkak të përmbytjeve të përjetuara, shtëpitë kanë mbetur nën ujë, mjedisi është shkatërruar dhe se rajoni ka nevoja urgjente dhe të rëndësishme.