Behar Zeqiri

Të vizitosh bibliotekën e emblemës së arsimit shqip, ikonës dhe legjendës së gjallë, prof. Etem Xheladinit, është një përjetim që të mbush me nderim, emocion dhe krenari të veçantë, sidomos për mua si nip i tij.
Në atë hapësirë të mbushur me dije, sakrificë dhe histori kombëtare, ndien peshën e një jete të tërë të përkushtuar për mbrojtjen dhe avancimin e arsimit shqip.
Me këtë rast, bibliotekës së fëmijëve të mi iu shtuan nga një ekzemplar i veprave të tij madhore: “Arsimi s’duron nënshtrim”, “Lufta jonë për arsimin shqip”, “Dënimet e kurdisura”, “Plagët nëpër kohë”, si dhe broshura për “Lapidarin e fshatit Allashec”.
Këto nuk janë thjesht libra. Ato janë dokumente të gjalla të rezistencës kombëtare, kujtesë historike për gjenerata të tëra dhe dëshmi e çmimit të madh që është paguar për ruajtjen e arsimit dhe identitetit shqiptar.
Në secilën faqe jeton sakrifica, qëndresa dhe vizioni i një njeriu që nuk pranoi kurrë të heshtë përballë padrejtësisë.
Prof. Etem Xheladini mbeti gjithmonë modest në madhështinë e tij. Ai nuk kishte nevojë për fjalë të mëdha, sepse veprat e tij flasin më fuqishëm se çdo retorikë. Ishte guximtar në kohë të vështira, kur shumëkush heshtte nga frika, ndërsa ai ngrinte zërin pa u lëkundur dhe pa u nënshtruar kurrë.
Figura të tilla nuk i përkasin vetëm familjes apo një kohe të caktuar, ato janë pasuri kombëtare. Emri dhe kontributi i prof. Etem Xheladinit mbeten gurthemel i kujtesës sonë historike dhe frymëzim i përhershëm për brezat që do të vijnë.

sqShqip