April 26, 2024
Kulturë

Ngjarjet e qendrës kulturore të Maqedonisë së Veriut në Stamboll kanë zgjuar interes të madh në Turqi

Drejtori i Qendrës Informative Kulturore (QIK) të Maqedonisë së Veriut në Stamboll, Ramadan Ramadani, është i kënaqur nga interesi që kanë zgjuar ngjarjet e organizuara në kuadër të programit të qendrës kulturore

Abdula Berisha

Ngjarjet e qendrës kulturore të Maqedonisë së Veriut në Stamboll kanë zgjuar interes të madh në Turqi Foto: Umeys Sulejman / AA

Shkup

Qendra Informative Kulturore (QIK) e Maqedonisë së Veriut në Stamboll, e hapur në fund të vitit 2019, i mundëson publikut artdashës turk që nga afër të njihet me jetën kulturore të Maqedonisë së Veriut, ndërsa si institucion, paraqet pikë kryesore në marrëdhëniet ndër-kulturore midis dy vendeve.

Drejtori i QIK-ut të Maqedonisë së Veriut në Stamboll, Ramadan Ramadani, është i kënaqur nga interesi që kanë zgjuar ngjarjet e organizuara në kuadër të programit të qendrës kulturore.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Ramadani kujton se qendra është themeluar në vitin 2015, ndërsa ajo është bërë funksionale në dhjetor të vitit 2019. Ai shprehet falënderues për ndihmën institucionale të ofruar për hapjen e qendrës nga vendi nikoqir, Republika e Turqisë, duke theksuar se pa këtë ndihmë, hapja e qendrës do të vonohej për ndonjë vit shtesë.

“Kemi pasur ndihmë institucionale nga vendi nikoqir, domethënë nga Republika e Turqisë. Sidomos ka qenë e veçantë dhe kryesore ndihma e këshilltarit të Ekselencës së Tij, Presidentit të Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, këshilltari për Ballkanin dhe kryekëshilltari, z. Sabri Demir, i cili na ka ndihmuar shumë për ndihmën funksionale për hapjen e kësaj qendre dhe pa ndihmën e të cilit ne ndoshta ende do ishim vonuar edhe ndonjë vit”, tha Ramadani.

Ramadani shprehet se institucioni që e udhëheq ai, gëzon një status të veçantë “dhe punën që e bëjmë, jemi si një pikë kryesore për marrëdhëniet ndër-kulturore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë”.

Ai thekson se kanë mbajtur shumë aktivitete dhe me sukses tre vite me radhë e kanë realizuar programin vjetor të Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë për QIK-un në Stamboll.

“Kryesisht, vitin e kaluar kemi pasur koncerte dhe disa ekspozita të artistëve të dalluar të cilët kanë ardhur aty me ndihmën e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kanë performuar para një publiku të gjerë dhe artdashës dhe kanë zgjuar interes të madh në vetë vendin nikoqir në Republikën e Turqisë”, tha Ramadani.

Juridiksioni i institucionit është për në tërë territorin e Turqisë

Ai gjithashtu thotë se juridiksioni i institucionit është për në tërë territorin e Turqisë, duke shtuar se në bashkëpunim me ambasadën, kanë planifikuar dhe kanë bashkëpunuar në disa aktivitete kulturore të tjera, sidomos në pikat ku ka njerëz me prejardhje nga Maqedonia e Veriut.

“Dy janë komunitetet kyç që janë me rëndësi për neve në këto marrëdhëniet kulturore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, e ato janë shtetasit turq me prejardhje nga Republika e Maqedonisë së Veriut të cilët kryesisht janë të organizuar në shoqata të ndryshme sipas qyteteve prej nga kanë ardhur”, thotë Ramadani, duke shtuar se në suaza të bashkëpunimit me këto shoqata realizohen disa aktivitete të ndryshme kulturore.

“Dhe, komuniteti i dytë me rëndësi në këto marrëdhëniet tona kulturore janë edhe turqit nga Republika e Maqedonisë së Veriut, ku ne për to kemi një sërë projektesh të cilat do t’i zhvillojmë sivjet, ato janë shfaqje dokumentarësh që kanë lidhje me këtë bashkësi kulturore dhe etnike që është e Maqedonisë së Veriut, për t’i prezantuar ato brenda Turqisë, e po ashtu edhe botimet e tyre”, tha Ramadani.

Ai gjithashtu thotë se gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, aktivitetet janë zhvilluar në suaza të rregullave, duke bërë që interesimi i publikut për ngjarjet kulturore të jetë më i madh se prania fizike e lejuar sipas protokolleve. Ramadani shpreson që me heqjen e masave të zgjohet interesi edhe më i madh, duke besuar në realizimin e plotë të programit të sivjetmë.