May 5, 2024
Maqedoni

Taravari i përgjigjet Mickoskit për bashkëqeverisjen!

Arben Taravari, kandidati për president nga koalicioni VLEN, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, i është përgjigjur liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i cili mbrëmë tha se do ta kontaktojë Taravarin për të biseduar për bashkëpunim të mundshëm, transmeton TV21.

Sipas Taravarit, ky propozim i Mickoskit “tregon se edhe VMRO-DPMNE-ja e ka kuptuar se ku qëndron vota shqiptare”.

Megjithatë, i pari i ASH-së thotë se “VLEN do ta ketë fokusin në zgjedhjet e 8 majit, për të siguruar sa më shumë mandate deputetësh”.

Bën të ditur se pas zgjedhjeve do të udhëhiqen nga interesi kombëtar.

“Pas zgjedhjeve, do të udhëhiqemi nga interesi kombëtar i shqiptarëve, nga nevoja urgjente për pastrim të qeverisë nga korrupsioni, dhe nga orientimi ynë i panegociueshëm pro-perëndimor.

Ne si VLEN jemi më të bashkuar se kurrë. Vota jonë është shumica e votës shqiptare. Mandatet tona shkojnë për deputetë shqiptarë. Sepse ne i mbrojmë e i përparojmë shqiptarët, nuk i shesim e nuk i blejmë!”, shkruan mes tjerash Taravari.