May 5, 2024
Maqedoni

Nesër nis vaksinimi pa termin dhe në terren

Duke filluar nga dita e nesërme qytetarët e Maqedonisë së Veriut do mund të vaksinohen pa termin të caktuar. Po ashtu nesër nis edhe vaksinimi në terren, si dhe do të lejohet edhe imunizimi i fëmijëve nga mosha 12 deri më 16 vjeç. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se fundi i pandemisë nuk janë vaksinat, por vetë procesi i vaksinimit. Ndërsa shtuan se ata si institucion kompetent nga nesër, vaksinën kundër Kovid-19 e bënë të qasshme për çdo qytetarë, pa dallim se në cilin vend të shtetit jeton. Autoritetet shëndetësore sqarojnë se vaksinimi në terren është organizuar në bashkëpunim me komunat, bashkësit lokale dhe mediat lokale.

MINISTRIA E SHËNDETËSISË

“Procesi i vaksinimit në terren është organizuar. Shtëpitë e shëndetit nga çdo qytet, në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale, bashkësitë lokale me ndihmën e mediave lokale, pllakateve, i informuan qytetarët për ditën dhe orën, në cilin fshat, lagje, vendbanim rural do të kryhet vaksinimi. Çdo qytetar që dëshiron të vaksinohet, me vete duhet të ketë dokument të vlefshëm për identifikim. Ministria e Shëndetësisë i fton qytetarët që të vaksinohen, të gjitha vaksinat të cilat i kemi te ne janë të sigurta dhe efikase. Të gjitha vaksinat parandalojnë simptoma të vështira apo vdekje nga koronavirusi”.

Ministria e Shëndetësisë gjithashtu njoftoi se nëpër sallat sportive, do të vazhdojë rivaksinimi masiv, ndërsa qytetarët që nuk kanë caktuar termin nuk do të mundë të vaksinohen në këto pika. Qytetarët pa termin do të mund të vaksinohen nëpër poliklinika. Orari i punës në pikat e vaksinimit është I shpallur në dyert e institucioneve shëndetësore. Në kryeqytet, vaksinimi pa termin do të kryhet në katër ploniklinika: në “Bukuresht”, “Jane Sandanski”, Çair, si dhe në Shuto Orizare. Tre të parat do të punojnë 12 orë në ditë nga 07:30 deri në 19:30, ndërsa poliklinika në Shuto Orizare nga ora 07: 30 deri në ora 14 e 30.