May 25, 2024
Maqedoni

Gazetari i njohur kumanovar, Nexhat Aqifi, feston ditëlindjen dhe del në pension

Gazetari i njohur kumanovar, Nexhat Aqifi, sot feston ditëlindjen, përcjell Open-TV.
Përveç ditëlindjes, ai ka hyrë edhe në një kapitull të ri të jetës- atë të pensionimit. Aqifi përmes një shkrimi dhe shumë fotografive ka përshkruar veprimtarinë e tij të gjatë në gazetari.

Postimi:
Një jetë kushtuar gazetarisë

Të nderuar miq, sot është një ditë e rëndësishme për mua, pasi zyrtatisht po e ndërroj statusin tim të gazetarit, duke kaluar në fazën e pensionimit, edhe pse për gazetarin nuk ka pensionim.
Kjo ditë, më rikthen në shiritin e kohës, në historinë time të gazetarit, që mbi katër dekada ka punuar në media.
Ka qenë një periudhë e bujshme profesionale, e përmbushur me shumë vështirësi, sfida, probleme, por edhe me shumë entuziazëm, kureshtje dhe vrap pas lajmit dhe pas të vërtetës, duke pasur parasysh gjithmonë interesin publik, ndonëse kjo nuk ka qenë gjithmonë punë e lehtë.
Në punën time disadekadëshe, profesioni më ka detyruar dhe në të njëjtën kohë më ka privilegjuar që të punoj në disa media në vend, si Flaka e Vëllazërimit, Koha, Dojçe Velle,dhe në Kosovë, Rilindja RTK, por media të mia dhe në të njëjtën kohë kam tentuar të jenë edhe tuajat janë Radio Zëri i Kumanovës ( e themeluam bashkë me Ismet Bexhetin ), TV Festa, të cilën e themelova si dritare informimi për shqiptarët në Kumanovë dhe Programi në Gjuhën Shqipe të Televizionit Publik TVM 2, të cilin një periudhë kam pasur fatin ta drejtoj, si Kryeredaktor.
Miq dhe bashkëpunëtore, ju falënderoj sinqerisht për gjithë këto vite e dekada bashkëpunim.
Miq e kolegë, ju falënderoj që gjithë këto vite keni treguar bashkëpunim dhe respekt para së gjithash njerëzor dhe më pas edhe profesional.
Miq e njerëz, që keni qenë burime të mia profesionale, ju falënderoj që çdoherë nuk keni refuzuar të më jepni informacion, pasi me këtë i keni dhënë informacion publikut.
Misioni i gazetarit vazhdon tutje!