May 10, 2024
Maqedoni

Ndërroi jetë patrioti i shquar tetovar, Zeqir Ismaili

Zeqiri, si i pathyeshëm që ishte, nuk ndejti anash as në Luftën e 2001-shit, kur edhe me vitet e pleqërisë mbi supe, e dha kontributin e vet

Në mesin e të burgosurve politikë nga f. Veshallë, ishte edhe Zeqir Ismaili, i cili u nda nga jeta, duke na lënë kujtimet, para së gjithash, për veprimtarinë atdhetare, dhe kujtime tjera për njeriun që gjithmonë reflektonte pozivitet në mjediset ku ishte i pranishëm.

Zeqiri (la Zeqir) u lind në Veshallë, në vitin 1935, në familjen e njohur të Emin Qehasë (babai i të ndjerit) një personalitet, që u dallua në tërë rajonin e Malësisë së Sharrit me veprimtarinë blegtorale. Ishte nxënësi i gjenetatë së parë të shkollës shqipe, që në Veshallë u hap në vitin 1945, me mësues Hysni Velën. Në vitin 1956, bashkë me familjen, Zeqiri shpërngulet në f. Topallnicë të Radovishit, prej nga, pas gjashtë vitesh e tërë kjo familje, vendoset në f. Llacë, pranë Kalasë së Tetovës.
Me angazhimin dhe vendosmërinë e tij, me gjithë rezistencën nga organet e pushtetit maqedonas, dhe përkrahjen edhe të disa familjeve tjera, shqiptare që ishin shpërngulur aty, Zeqiri e hapi shkollën e parë shqipe, që funksionon edhe sot.
Në vitin 1961 e kreu shërbimin ushtarak, ndërsa një vit më vonë, më 1962, i ndjekur nga UDB-ja Jugosllave, arrestohet dhe dënohet me 7 vite burg të rëndë, nga të cilat i vuajti tre, i akuzuar për veprën “Dhënie e fshehtësisë ushtarake të Armatës së Jugosllavisë, shërbimeve të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd”. Për të njëjtën vepër atbotë u dënua edhe Hajdar Kasami, kunati i tij, po nga Veshalla, që i mbajti 5 vite burg.

La Zeqir, edhe pas vuajtjes së dënimit ishte vazhdimisht i ndjekur nga organet policore, madje pas Demonstrata të vitit 1981 të Kosovës, duke e kërcnuar me largim nga puna, kur si punëtor teknik shërbente në shkollën e fshatit, për hapjen e së cilës kontribuoi aq shumë. Atë kohë kur e kishin marrë në biseda informative, inspektorëve të sigurimit u pat thënë: “Më latë vetëm me një fshisë në dorë, edhe ate doni të ma merrni, merreni edhe ate”!
Zeqiri, si i pathyeshëm që ishte, nuk ndejti anash as në Luftën e 2001-shit, kur edhe me vitet e pleqërisë mbi supe, e dha kontributin e vet.

Lavdi veprës së tij atdhetare!

Prof.dr. Vebi Bexheti