Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka marrë vendim për ndërprerjen e hetimit lidhur me furnizimet me mazut për nevojat e TEC Negotinë, në të cilin ishin përfshirë 13 persona, mes tyre edhe biznesmeni Ratko Kapushevski, pronar i kompanisë RKM, si dhe ndaj biznesmenit Asmir Jahoski, përcjell TV21.
Nga Prokuroria u bë e ditur se pas një hetimi njëvjeçar nuk është vërtetuar se të dyshuarit i kanë kryer veprat penale që u viheshin në barrë, dhe as nuk është konstatuar ekzistenca e ndonjë vepre tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Hetimi kishte të bënte me dyshime për keqpërdorime në procedurat e furnizimit me mazut për TEC Negotinë gjatë krizës energjetike, lidhje të paligjshme të kontratave dhe anekseve, si dhe pastrim parash.
“Sipas provave, procedurat për furnizimin me mazut janë zhvilluar në kushte të krizës energjetike të shpallur nga Qeveria e RMV-së dhe në përputhje me përjashtimet ligjore të parashikuara në nenin 23 të Ligjit për Prokurime Publike, me qëllim sigurimin e prodhimit të pandërprerë të energjisë elektrike”, thonë nga Prokuroria.
Gjatë hetimit janë analizuar dokumente financiare dhe kontraktuale, ekspertiza dhe dëshmi të dëshmitarëve, përfaqësues të ESM, TEC Negotinë dhe operatorëve ekonomikë që posedonin licenca për tregti me mazut.

