Në seancën e 12-të të Këshillit Komunal të Komunës së Butelit, këshilltari Armend Murseli ngriti një sërë çështjesh që lidhen me gjendjen në sektorin e arsimit, duke kërkuar më shumë përgjegjësi institucionale dhe depolitizim të shkollave.

Në fillim të seancës, Murseli reagoi sërish për mungesën e përkthimit simultan, duke rikujtuar se në mbledhjen e kaluar ishte premtuar se problemi do të zgjidhej, por sipas tij, ai vazhdon të mbetet i pazgjidhur.

“Ky është një tregues i papërgjegjësisë dhe neglizhencës së përsëritur ndaj një çështjeje që duhej të ishte zgjidhur prej kohësh”, theksoi ai.

Gjatë shqyrtimit të raporteve vjetore të shkollave fillore, Murseli ngriti shqetësimin për, siç tha ai, politizimin e arsimit, duke theksuar se institucionet arsimore duhet të mbeten të pavarura nga ndikimet politike dhe të udhëhiqen vetëm nga profesionalizmi dhe ligji.

" "

Ai veçoi rastin e SHFK “Liman Kaba”, ku sipas tij, brenda një viti janë bërë disa emërime dhe riemërime të përkohshme të ushtruesve të detyrës së drejtorit. Murseli vlerësoi se ndryshimet e shpeshta në udhëheqjen e shkollës kanë sjellë jostabilitet në menaxhim, kanë krijuar pasiguri te arsimtarët dhe nxënësit, si dhe kanë ndikuar negativisht në cilësinë e zhvillimit të procesit arsimor.

Ai kërkoi përgjigje të qartë nga autoritetet komunale se përse po zvarritet shpallja e konkursit për emërimin e një drejtori me mandat katërvjeçar dhe deri kur do të vazhdojë praktika e emërimeve të përkohshme.

“Mesazhi im është i qartë: larg duart e politikës nga arsimi. Shkollat nuk janë shtabe partiake dhe as vend ku mund të eksperimentohet politikisht. Ato janë institucione ku ndërtohet e ardhmja e fëmijëve tanë”, deklaroi Murseli.

Në fund, këshilltari Armend Murseli theksoi se arsimi duhet të udhëhiqet nga profesionalizmi dhe ligji, në interes të nxënësve dhe cilësisë së arsimit, e jo të interesave politike.

sqShqip