Shkupi sot mirëpret një prej zërave më të spikatur të muzikës shqiptare. Para koncertit të tij, bashkë me Ylli Limanin vizituam Universitetin Nënë Tereza, ku pamë nga afër ecurinë e ndërtimit të kampusit universitar, një nga investimet më të mëdha në historinë e shtetit tonë për arsimin në gjuhën shqipe. Ishte simbolike që pikërisht aty të flisnim për të ardhmen e të rinjve dhe për rëndësinë e investimit te dija.
Biseduam për të rinjtë, për rëndësinë e krijimit të mundësive për ta dhe për projektet që po i realizojmë në funksion të rinisë shqiptare. Më bëri përshtypje fakti se, përtej suksesit si artist, Ylli është një i ri me kulturë, mendim të pjekur dhe një mënyrë të veçantë të të parit të gjërave.
Besoj se arti dhe kultura kanë një fuqi të jashtëzakonshme për të frymëzuar brezat e rinj, po aq sa edhe politikat e mira. Prandaj, artistë si Ylli janë më shumë se emra të suksesshëm në skenë; ata janë modele që ndikojnë te mijëra të rinj.
I urova një koncert të suksesshëm sonte në Shkup dhe shumë suksese në rrugëtimin e tij artistik.

