Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot realizoi takim me ushtruesen e detyrës ambasadore e SHBA-së, Nikoll Uarnes.
Ai në kumtimin në Fejsbuk informoi se në takim shprehën kënaqësi nga zhvillimi i marrëdhënieve bilaterale dhe partneritetit strategjik mes dy shteteve, si dhe gatishmërisë për thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në disa sfera të interesit të ndërsjelltë.
“Këmbyem mendime për ngjarjet aktuale ndërkombëtare dhe rajonale, gjendjet në kuadër të NATO-s dhe sfidave aktuale të sigurisë, me ç’rast e konfirmuam rëndësinë e partneritetit strategjik mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut dhe lidhjes në Aleancë si faktorë të rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë”, theksoi Mucunski.
Gjatë bisedimeve u bë fjalë edhe për proceset reformuese në shtet, përfshirë edhe reformat në jurisprudencë, digjitalizim, luftën kundëlr korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe realizimin e projekteve infrastrukturore.
“E konfirmuam përcaktimin e përbashkët për avancim të mëtutjeshëm të dialogut politik dhe marrëdhënieve bilaterale, vazhdimin e aktiviteteve në kuadër të Dialogut strategjik, si dhe përforcimit të partneritetit në kuadër të Aleancës së NATO-s”, shtoi shefi i diplomacisë në kumtimin në Fejsbuk.

