02.06.2026
Kreu i Këshillit të Evropës, Antonio Koshta sot pasdite do të qëndrojë për vizitë në vendin tonë, ku do të takohet me kryeministrin Hristian Mickoski.

Nga shërbimi qeveritar për shtyp informojnë se kryeministri Mickoski do të realizojë takim tet-a-tet me Koshtën, pas çka do të pasojë takimi mes delegacionit qeveritar dhe delegacionit të kryesuar nga kreu i Këshillit të Evropës. Mickoski dhe Koshta më pas do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp në Qeveri.

Kreu i Këshillit të Evropës prej dje ndodhet për vizitë në Ballkanin Perëndimor, për t’u takuar me liderët e rajonit dhe për të qenë bashkëkryesues i samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi më 5 qershor.

Kryetari Koshta do të bisedojë për mundësitë dhe sfidat rreth zgjerimit, integrimit gradual, bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe stabilitetit.

“Turneu im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon sinjal të qartë: përkushtimi i BE-së ndaj rajonit është real; po aq real sa edhe mundësia për zgjerim. Momentumi është këtu. Tani është koha për reflektim të rezultateve”, deklaroi Koshta para vizitës në rajon.

Në Shkup ai vjen nga Tirana, ku do të takohet me liderët e atjeshëm, ndërsa vizitën e filloi dje nga Sarajeva.

Koshta nesër do të niset drejt Prishtinës, përderisa të enjten do ta vizitojë Beogradin. Turneun do ta rrumbullakësojë me vizitën në Mal të Zi.

Më 5 qershor Koshta do të jetë bashkëkryesues i samitit BE-Ballkani Perëndimor, temë kryesore e të cilit është “Prosperiteti i përbashkët dhe stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.

sqShqip