Etem Xheladini

Të dashur vëllezër e motra të Kosovës, të shtetit më të ri në botë, të shtetit për të cilin shqiptarët sakrifikuan shekuj dhimbjeje, gjak, burgje, shpërngulje dhe breza të tërë që jetuan vetëm me një ëndërr, lirinë dhe pavarësinë. Sot, kur ajo ëndërr është bërë realitet, sot kur flamuri ynë ngrihet i lirë mbi shtetin tonë, më shumë se kurrë kemi nevojë për vetëdijesim kombëtar, unitet dhe maturi politike.
Nuk është koha të krijojmë mite të rreme politike, as të ushqejmë urrejtje e ndasi mes vëllezërve. Është koha të forcojmë shtetin e Kosovës dhe të ndërtojmë ura të fuqishme bashkëpunimi mes dy shteteve shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë, duke punuar që kufijtë artificialë mes nesh të humbin kuptimin përballë interesit kombëtar.
Njëkohësisht, nuk duhet harruar kurrë obligimi ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të dy shteteve shqiptare, në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi dhe kudo në trojet e tyre etnike, që edhe ata të gëzojnë të drejtat, lirinë, dinjitetin dhe barazinë që u takon.
Të dashur vëllezër, shteti është amanet, shteti është përgjegjësi, shteti është i shenjtë. Me shtetin nuk bëhen pazare dhe nuk duhet lejuar aventurat e papërgjegjshme politike, ai duhet mbrojtur, forcuar dhe zhvilluar me çdo kusht.
Partitë politike vijnë dhe shkojnë. Politikanët janë të përkohshëm, ndërsa shteti është i përhershëm. Kushtetuta, institucionet dhe interesat kombëtare janë pronë e qytetarëve dhe jo e individëve apo grupeve të interesave klanore të caktuara politike.
Prandaj, kujdes nga kurthet e politikëbërësve që ushqehen me konflikt, përçarje dhe gjuhë urrejtjeje. Fatkeqësisht, sot shqiptarët, kudo që jetojnë, po përballen me një klimë përçarjeje që rrallëherë e kemi parë në historinë tonë më të hershme e tani moderne. Mos lejoni që emocionet politike të shkatërrojnë vëllazërinë kombëtare.
Respektoni ata që kontribuuan për lirinë dhe shtetin. Mos provokoni, mos nënçmoni dhe mos mohoni sakrificën e brezave që luftuan për këtë ditë. Hapni rrugë meritokracisë, dijes, profesionalizmit dhe njerëzve që ndërtojnë, jo atyre që përçajnë.
Zgjedhjet janë themeli i demokracisë, jo arsye për armiqësi. Prandaj, dita e zgjedhjeve më 7 qershor duhet të jetë festë demokratike për Kosovën dhe për gjithë shqiptarët, ku do ne të fitojnë më të mirët ndër më të mirët, ndërsa askush të mos ndihet i humbur.
Sepse, nëse duam të ndërtojmë shtet të fortë, duhet së pari të ndërtojmë kulturë politike, respekt kombëtar dhe vetëdije qytetare. Kosova ka nevojë për mençuri, jo për përçarje, ka nevojë për unitet, jo për urrejtje.
Ka nevojë për shtetndërtim, jo për konflikt vëllavrasës

sqShqip