MEPSO po investon në rikonstruimin dhe modernizimin e Trafostacionit Elektrik Shkupi 4 në Pintija, në afërsi të Studeniçanit.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, i cili nga terreni ka theksuar se bëhet fjalë për një objekt të rëndësishëm për furnizimin e sigurt me energji elektrike të Shkupit dhe rajonit.

Sipas Latifit, godina e trafostacionit është ndërtuar në vitin 1976 dhe pas 50 vitesh do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni dhe modernizimi të plotë.

“Ky nuk është vetëm një rikonstruim i objektit. Ky është një investim në infrastrukturë më efikase, kushte më të mira pune dhe një sistem më të sigurt të transmetimit të energjisë elektrike”, ka shkruar Latifi.

" "

Në kuadër të projektit parashihet rikonstruksioni i tetë trafostacioneve, me synim përmirësimin e efikasitetit energjetik. Në Trafostacionin Shkupi 4 është planifikuar gjithashtu instalimi i një centrali fotovoltaik, i cili do të përdoret për nevojat e vetë objektit.

Latifi ka theksuar se investimet janë pjesë e përpjekjeve për modernizimin e infrastrukturës ekzistuese të transmetimit të energjisë elektrike.

“Përkushtimi ynë është i qartë: të jemi në terren, të investojmë dhe të modernizojmë infrastrukturën që kemi trashëguar. Sot investojmë që nesër të kemi një rrjet transmetimi më të sigurt”, ka deklaruar ai.

sqShqip