Ministrja e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, Vesna Janevska, ka paralajmëruar se disa universitete në vend mund të përballen me mbyllje për shkak të parregullsive të konstatuara gjatë procesit të vlerësimit, përcjell INA.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Ohër, ku ndodhet në kuadër të një vizite qeveritare, Janevska tha se në disa institucione janë evidentuar parregullsi në funksionim dhe se Ministria po punon për t’i korrigjuar ato.

“Po trajtojmë denoncime të paraqitura nga individë dhe grupe profesorësh. Ndryshe nga e kaluara, kur Agjencia për Cilësinë në Arsimin e Lartë praktikisht nuk funksiononte dhe jepte akreditime pa kriter, tani ajo është funksionale dhe kemi nisur procesin e vlerësimeve,” deklaroi ministrja.

Ajo bëri të ditur se vlerësimet e para, të realizuara me ekspertë ndërkombëtarë, tregojnë se disa universitete kanë rezultate të mira, ndërsa disa të tjera rrezikojnë t’u hiqet akreditimi.

" "

“Sapo të përfundojnë afatet ligjore për ankesë ose për korrigjimin e mangësive, institucionet që nuk i plotësojnë kriteret do të mbyllen. Ky proces do të zhvillohet gradualisht dhe në përputhje me ligjin,” tha Janevska.

Sipas saj, deri më tani janë mbyllur 18 institute dhe një fakultet privat, ndërsa është në proces mbyllja e pesë ose gjashtë instituteve të tjera. Gjithashtu, kontrolle dhe monitorim po zhvillohen në të paktën pesë universitete në vend.

sqShqip