Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, sot zhvilloi takim me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Sportit, OSBE-së, FFM-së, klubeve të futbollit dhe basketbollit, si dhe përfaqësues të tifogrupeve të klubeve shqiptare dhe maqedonase.
Në takim, siç njofton Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive u diskutua gjerësisht për situatat dhe sfidat në terrenet dhe sallat sportive, me theks të veçantë te siguria, mbarëvajtja e ndeshjeve dhe nevoja për parandalimin e incidenteve, tensioneve dhe ofendimeve me bazë etnike e fetare.
Ministri Ferati theksoi nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, federatave, klubeve dhe tifozëve, në mënyrë që stadiumet dhe sallat sportive të jenë hapësira të rivalitetit sportiv, respektit dhe emocioneve pozitive.
“Mund të jemi rivalë gjatë ndeshjes, por pas saj të gjithë kthehemi në të njëjtën shoqëri. Tifo e fortë, zë i fuqishëm dhe rivalitet sportiv po – urrejtje dhe ofendime etnike e fetare jo”, u shpreh Ferati, duke theksuar se ky takim duhet të shërbejë si hap drejt zgjidhjeve konkrete dhe forcimit të bashkëpunimit për një ambient më të sigurt dhe më të respektueshëm në sport.

