Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mirëpriti në ambientet e komunës nxënësit e shkollave fillore “Jashar Bej Shkupi” dhe “Tefejuz”, në një takim të veçantë kushtuar rëndësisë së të drejtave të fëmijëve, pjesëmarrjes së tyre në shoqëri dhe zhvillimit të potencialit individual.
Një nga momentet më të veçanta të vizitës ishte dëshira e shprehur nga Eda e vogël, e cila tha: “Kur të rritem, dua të bëhem kryetare!”. Kryetari Mexhiti e ftoi të ulej në karrigen e tij, duke përcjellë një mesazh simbolik për rëndësinë e vetëbesimit, ambicies dhe mundësive të barabarta për çdo fëmijë.
“Rruga drejt suksesit nis me besimin në vetvete. Çdo fëmijë ka të drejtë të dëgjohet, të mësojë, të ndihet i sigurt dhe të ketë mundësi për t’i zhvilluar aftësitë e veta. Është përgjegjësia jonë që këto të drejta të mos mbeten vetëm parime, por të jenë pjesë e përditshmërisë së tyre, në shkollë, në lagje dhe në institucionet tona. Fëmijët duhet të rriten me bindjen se zëri i tyre ka peshë, se ëndrrat e tyre kanë vlerë dhe se një ditë mund të jenë ata që udhëheqin dhe marrin vendime. Detyra jonë është t’i mbështesim dhe t’i largojmë pengesat e paragjykimet që ua vështirësojnë rrugën”, deklaroi Mexhiti.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e krijimit të një mjedisi ku fëmijët ndihen të vlerësuar, të përfshirë dhe të inkurajuar për të shprehur mendimet dhe aspiratat e tyre, pa dallim.
Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar ndaj promovimit të të drejtave të fëmijëve dhe krijimit të mundësive që çdo fëmijë të zhvillohet, të përparojë dhe të kontribuojë në të ardhmen e shoqërisë.

