April 28, 2024
Maqedoni

Megjashi: Në vend se t’i pickojë fëmijët nga Afganistani, Bujar Osmani duhej të tregojë çfarë kushte janë siguruar

Ambasada e parë e fëmijëve në botë ka reaguar lidhur me sjelljen e ministrit maqedonas të punëve të jashtme Bujar Osmani ndaj fëmijëve afganë, me rastin e arritjes së tyre në aeroportin e Shkupit.
Kjo ambasadë e vlerëson sjelljen e ministrit të jashtëm të vendit fqinj, Bujar Osmani, si keqperdorin për propagandë parazgjedhore.

Megjashi vlereson se në vend se t’i pickojë fëmijët nga Afganistani, Bujar Osmani duhej të tregojë çfarë kushte janë siguruar për pranimin e tyre.

Ndaj skandalit të ministrit të jashtëm maqedonas kanë reaguar edhe partitë opozitare në Maqedoninë e Veriut.

Aleanca për Shqiptarët dënon ashpër “keqpërdorimin e fëmijëve nga Afganistani nga Ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani, për motive të ulëta politike dhe vetë-promovimi në rrjetet sociale”.

“Publikimi i fotografive dhe videove të fëmijëve dhe të familjeve të persekutuara politikisht, është mënyra më e vrazhdë e keqpërdorimit të fatkeqësive njerëzore dhe veçanërisht atyre të fëmijëve, si dhe rrezikim i drejtpërdrejtë i jetës së disidentëve politik afganë.

Për të qenë ironia edhe më e madhe, shumë ekipe mediatike kanë informuar se nga kabineti i Osmanit janë ndaluar të ndjekin këtë ngjarje me arsyetimin se ka të mitur pamjet e së cilëve nuk guxojnë të publikohen.

Kjo dëshmon edhe një herë nivelin tragjik në të cilin kanë rënë funksionarët e BDI-së për shkak të frikës nga humbja në zgjedhjet lokale dhe se ata nuk zgjedhin metoda për të fituar ndonjë votë, qoftë edhe duke abuzuar me fatkeqësinë njerëzore”, thuhet në reagimin e ASH-së.