May 14, 2024
Maqedoni

“Pagat e gjykatësve”, Këshilli Gjyqësor konteston vendimin e Kuvendit

Këshilli Gjyqësor ka iniciuar në Gjykatën Kushtetuese iniciativën për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Ligjit për pagat e gjykatësve dhe Ligjit për pagat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Organi më i lartë gjyqësor kërkon që ndryshimet e fundit të miratuara nga Kuvendi të mos hyjnë në fuqi, veprim me të cilin ligjvënësi parandaloi rritjen e rrogave të gjykatësve. Referuar besueshmërisë në sistemin gjyqësor e cila vitin e kaluar ka rezultuar 4 për qind, ndërsa ajo mesatare 19 për qind, me të drejtë shtrohet pyetja: Sa është e drejta morale e punonjësve në sistemin gjyqësorë, respektivisht gjykatësve të kërkojnë rritje rroge, përkatësisht të luftojnë kundër zvogëlimit të rrogave të tyre?!

Me ndryshimet e mbetura në fuqi, rrogat e gjykatësve në Penale, Apel, Supreme, Kushtetuese dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor janë astronomike në krahasim me rrogat e punonjësve administrativ dhe shumëfish më të larta se rrogat mesatare në vend.

Me rritjet që ishin paraparë, duke mos marrë parasysh përvojën e gjykatësve, shtesat prej 20 për qind dhe angazhimet e tyre nëpër komisione dhe grupe pune, rritja ishte paraparë të varionte nga 10.000 deri në 34.000 denarë shtesë, varësisht pozicionit të gjykatësit dhe shkallës së gjykatës ku është i sistemuar.

Këshilli Gjyqësor dhe gjykatësit në përgjithësi kërkojnë rritje të rrogave në kohën kur dhjetëra lëndë penale u vjetërsuan, pushuan apo u dhanë vendime pa masa efektive. Në kohën kur rekomandimet e grupit të ekspertëve dhe misioneve vlerësuese ishin skandaloze dhe në kohën kur ndikimet politike arritën kulmin sa kaq hakmarrja mes gjykatësve dhe anëtarëve të këshillit shkoi aq larg se u nevojit ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar dhe partnerëve strategjik të cilët ndër vite kanë mbështetur dhe financuar reformat në gjyqësor dhe sundimin e ligjit.

Një letër e ambasadores amerikane në prill të vitit kaluar i tërhoqi vërejtjen gjyqësorit duke u potencuar në të nevoja për reformim urgjent. Në letër ishin potencuar të gjitha përpjekjet e SHBA-ve për reforma, duke vënë në theks të veçantë guximin që duhet të tregojnë gjykatësit në sjelljen e vendimeve gjyqësore. Ajo disa herë ka deklaruar se është e zhgënjyer nga gjyqësori, ndërsa deklarata në këtë drejtim kanë ardhur edhe nga Brukseli dhe raportet e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut. /Alsat.mk