April 26, 2024
Maqedoni

Me karroca e bartin ujin për pije, mbi 400 familje në Koliçan s’kanë ujë

Po i mbush shishet me ujë në qendër të fshatit Koliçan të komunës së Studeniçant. Kjo për shkak se ujë në shtëpi nuk ka.

Xha Xhevati ka mbushur karrocën dhe po bart ujin deri në shtëpi.

“Çdo ditë mbushi ujë. Sa herë në ditë? Ndodh që edhe gjashtë herë të mbushi ujë pastaj shkoj në punë. Nga sa litra ujë mbushni? 70 litra kam këtu, nëse vij prapë 7 herë të mbushi rreth 500 litra ujë do të mbushi, nëse vij 4 herë rreth, 300 litra ujë”, shprehet Xhevati.

Për të pasur ujë në shtëpi duhet të mbush këtë rezervuar me 1 mijë litra ujë.

“Unë i kam dy rezervuar dy muaj nuk kam pikë uji në shtëpi. Jemi familje gjashtëanëtarëshe, mbushi që familja te ketë ujë për pije, për tu larë dhe për të lëshuar lavatriçen”, tregon më tej ai.

Këtë hall e kanë edhe 400 familje tjera në këtë fshat. Në qendër të fshatit takuam edhe një këshilltarë në komunën e Studeniçanit. Xhevat Azemovski thotë se paratë janë të ndara për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit por se nuk ka vullnet politik për ta ndërtuar.

“Mjetet janë ndarë nga TAV, marrëveshjet janë të nënshkruara edhe me Ministrinë e Transportit. Punimet duheshin të fillojnë në prill-maj por u komplikua nga partitë BDI-PDSH. Disa kërkonin të ndërtonin ashtu, disa kështu. Ata deshën të marrin pikë ndërsa ne 30 vite jemi pa ujë”..

Kryetari i Komunës se Studeniçanit Azem Sadiku thotë se për tre ditë do të bëhet përzgjedhja e kompanisë e cila do të ndërtojnë rrjetin e ujit. Nuk dha afat konkret se kur banorët e Koliçanit do të kenë ujë në shtëpitë e tyre.

“Sigurisht është një mëkat i madh. Aty banorët kanë deri diku ujë mirëpo rrjeti është shumë i vjetërsuar, kurse tash që është me projektin që e kemi parashihet që të ndërtohet komplet rrjeti sekondar me matës të ujit. Çdo shtëpi do të ketë plus edhe një rezervuar i ujit. Do të bëhet prej burimit deri të rezervuari një gyp i ri kështu që deri 90% do të zgjidhet ky problem”, deklaroi Sadiku.

E përderisa ndërtohet rrjeti i ujit në fshatin Koliçan këta fëmijë shpresojnë se nuk do ta kenë brengën e njëjtë sikur prindërit e tyre, frikë për mos të pasur ujë për pije dhe higjienë.