June 17, 2024
Maqedoni

Mbi 100 produkte ushqimore do të shiten më lirë/ Masa pritet të hyjë në fuqi më së voni pasnesër

Mbi 100 produkte ushqimore përfshirë orizin e bardhë, miellin e misrit, bukën, pastat, prodhimet e mishit, bulmeti, vezët, fruta-perimet e freskëta dhe disa prodhime tjera do të pësojnë ulje të çmimit prej minimum 10% nga çmimi që kanë pasur më 1 gusht të këtij viti.

“Çmimet nga 1 gushti deri tani ka mundësi të jenë rritur për 100 %, por kjo është zero për ne, e pavlefshme që do të thotë se ne uljen e çmimit do ta aplikojmë me minimum 10% si çmim referencë nga 1 gushti për të gjitha produktet e përmendura. Ajo që ka ndodhur nga 1 gushti deri sot nuk vlen, ndërsa kjo në praktikë do të thotë se mund të ketë ulje të çmimeve për këto produkte që unë i përmenda edhe më shumë se 30, 40% nëse ndodh se nga 1 gushti e këndej ka pasur aq rritje.”- deklaroi Kreshnik Bekteshi – Ministër I Ekonomisë.

Produktet me çmime të zbritura do të dallohen në raftet e marketeve me etiketën “çmim i garantuar” ndërsa masa pritet të hyjë në fuqi më së voni pasnesër.

“Nga pasnesër me shumë gjasa të gjitha zinxhirët e supermarketeve duhet t’i kenë këto etiketa, sepse ju duhet kohë që t’i porosisin, por nëse sonte shpallet masa në Gazetën Zyrtare d.m.th nëse ka hapësirë nga nesër ata duhet të aplikohen në zinxhirët e supermarketeve. Supermarketet tona për këtë masë përafërsisht e kanë ditur thuajse para 10 ditëve që do të thotë se ka qenë obligim i tyre të jenë të përgatitur për këto ulje.”- tha Kreshnik Bekteshi – Ministër I Ekonomisë.

Këto masa sipas ministrit do të ndikojnë në ulje të inflacionit të përgjithshëm ndërsa vetëm në pjesën e ushqimit deri në fund të vitit inflacioni nuk do të jetë më i lartë se 5%. Përndryshe, lista e produkteve mund të zgjerohet edhe më tej ndërsa masat do të vlejnë deri më 30 nëntor me mundësi për vazhdimin e tyre në varësi të situatës.