Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi në intervistën e ditës për Alsat-M, ka folur për pagën minimale dhe mesatare në vend, duke thënë se vetëm rreth 30 mijë qytetarë në Maqedoninë e Veriut marrin pagë minimale.

Sipas Durmishit, në sektorin publik dhe privat janë të punësuar gjithsej rreth 720 mijë qytetarë, ndërsa më shumë se 600 mijë prej tyre janë të punësuar në sektorin privat.

“Prej gjithë këtyre, vetëm 30 mijë qytetarë në Maqedoninë e Veriut marrin pagë minimale që nënkupton afër 2 apo 3 për qind. Të gjithë të tjerët marrin shumë më shumë se paga minimale”, tha Durmishi.

Ai shtoi se një pjesë e konsiderueshme e atyre që deklarohen me pagë minimale janë pronarë individualë.

" "

“Prej këtyre 30 mijë, gjysma e tyre apo 70 për qind janë pronarë individualë, që të mos u rriten kostot e tjera për pagesë. Kjo nënkupton se vetëm 2 apo 3 për qind e qytetarëve marrin pagë minimale”, deklaroi ministri.

Durmishi tha se gjendja ekonomike është përmirësuar krahasuar me vitet e kaluara dhe shprehu pritjen që përmirësimi të vazhdojë edhe gjatë dy viteve të ardhshme.

*Jemi më mirë se që kemi qenë- edhe më mirë në dy vitet e ardhshme*

“Jemi më mirë se që kemi qenë, a do të jemi më mirë në dy vitet e ardhshme, do të jemi më mirë”, tha ai.

Duke folur për inflacionin, Durmishi theksoi se ai është më i ulët krahasuar me mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Inflacioni është më i ulët se vendet anëtare të BE-së. Atje e kemi 3.2 për qind, ndërsa inflacioni te ne është 2.6 për qind”, tha Durmishi.

Durmishi iu referua edhe të dhënave për pagën minimale dhe shpenzimet për ushqim e pije. Sipas tij, gjatë dy viteve të fundit rritja e pagës minimale neto ka qenë më e lartë se rritja e shpenzimeve për ushqime dhe pije.

“Rritja e pagës minimale neto është më e lartë diku për 4 mijë denarë, ndërsa rritja e shpenzimeve në fushën e ushqimeve dhe pijeve është rritur për 3 mijë e diçka”, tha Durmishi.

sqShqip