Një pacient ka falsifikuar një mendim konsiliar për një terapi që është në listën pozitive të barnave, me ndihmën e inteligjencës artificiale. Mashtrimi u zbulua rastësisht kur Fondi i Sigurimit Shëndetësor e ktheu raportin në Klinikën e Neurologjisë, pasi faksimili i njërit prej mjekëve nuk përputhej, raportoi TV Sitel.
Gjatë kontrollit nga Klinika u konstatua se ishin të falsifikuara edhe vulat e tjera, disa nga emrat e neurologëve, si dhe emri i institucionit – “Instituti për Rehabilitim – Klinika Universitare për Neurologji” – një institucion i tillë nuk ekziston në regjistrin shëndetësor, transmeton portali Lideri.mk.
> “Kur e pamë mendimin konsiliar, për të cilin menduam se ishte lëshuar nga klinika jonë, kuptuam se bëhej fjalë për një dokument të krijuar me inteligjencë artificiale dhe plotësisht të falsifikuar. Me shumë gjasë, këtë do ta tregojë edhe hetimi i mëtejshëm”, deklaroi asist. dr. Jovan Bozhinovski, drejtor i Klinikës së Neurologjisë.
Personi prej vitesh ka qenë pacient i Klinikës së Neurologjisë dhe për diagnozën e tij e ka marrë këtë terapi, për të cilën nevojiteshin nënshkrimet dhe vulat e tre mjekëve.
Rasti është raportuar të premten në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Këtu shtrohet pyetja nëse mendime të tilla konsiliare kanë kaluar tashmë për barna, për pushime mjekësore apo për trajtim në banja. Problemi është serioz”, paralajmëron dr. Bozhinovski./Lideri

