May 27, 2024
Maqedoni

Lloga mblodhi ministrat e drejtësisë në Shkup: Këto janë prioritetet që duhet patjetër të zbatohen

Ministri i drejtësisë, Krenar Lloga, në kuadër të dy sesioneve të forumit të sotëm, e përshëndeti angazhimin e BE-së për përfshirjen e vendeve kandidate në Raportin e Sundimit të Ligjit si instrument për zbulimin e hershëm apo parandalimin e problemeve me sundimin e ligjit.

Sipas tij, një hap i tillë i BE-së përfaqëson vendosjen e një baze të barabartë me shtetet-anëtare në drejtim të monitorimit të reformave aktuale dhe do të ketë një rëndësi të veçantë në procesin e integrimit të përshpejtuar, që do të na ndihmojë më tej në identifikimin e situatave në fushën ku do të nevojiten përmirësime.

Ai foli edhe për elementin kyç të harmonizimit të vazhdueshëm të kornizës ligjore me legjislacionin e BE-së, për të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut në fushën e gjyqësorit shënon përparim të jashtëzakonshëm, për të cilin, megjithatë, zbatimi i tyre në periudhën e ardhshme, do të jetë vendimtar.

“Fokusi në periudhën e ardhshme do të jetë në miratimin e Strategjisë së re zhvillimore për sistemin e gjyqësorit (2023 – 2027) dhe zbatimin e aktiviteteve nga Plani i veprimit të saj”, theksoi Lloga.

Në lidhje me “Projektin rajonal për monitorimin e proceseve gjyqësore – Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”, ai theksoi se Raporti me rekomandimet dhe masat e ofruara, do të kontribuojë në forcimin e funksionalitetit dhe efikasitetit të sistemit të gjyqësorit dhe luftën efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai shtoi se do vazhdohet me avancimin e mëtutjeshme të kornizës ligjore kundër korrupsionit e cila i ndjek standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Ministri Lloga, shprehi kënaqësinë që KE-ja pranoi iniciativën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë që monitorimi i deritanishëm i lëndëve përmes tabelave Excel, të zëvendësohet me një sistem të ri të sofistikuar – e- platformë për mbledhjen e të dhënave për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Që nga fillimi i luftës agresive ruse kundër Ukrainës, raportet e shumta për fat të keq tregojnë se janë kryer dhe po kryhen krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Mes të tjerash, e drejta ndërkombëtare humanitare duhet të respektohet dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e luftës duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe të sillen para drejtësisë. Ta rikthejmë paqen përmes bashkëpunimit, solidaritetit dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe qeverisjes së ligjit. Më të rëndësishmet janë siguria dhe prosperiteti ynë, të cilat janë të lidhura ngushtë dhe nuk mund të ekzistojnë nëse nuk janë të ndërlidhura”, deklaroi ministri Lloga.(INA)