May 8, 2024
Maqedoni

Pesë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës

Më 17 qershor 2018, në fshatin e vogël Nivici (Psarades) në bregun e Liqenit të Prespës nga pala greke, Shkupi dhe Athina nënshkruan Marrëveshjen e Prespës, e cila mbylli mosmarrëveshjen shumëvjeçare mes dy vendeve dhe hapi rrugë për perspektiva të reja në marrëdhëniet bilaterale.

Si rrjedhojë, Maqedonia e ndryshoi emrin në Maqedonia e Veriut, ndërkaq Greqia u bë zë i përkrahjes së vendit i cili kulmoi me anëtarësimin në NATO, por nuk i nisi negociatat për anëtarësim, pasi ia preu udhën Bullgaria, një tjetër fqinj i cili nuk e njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas, duke pretenduar se janë bullgare.

Pesë vjetori i Marrëveshjes së Prespës, Maqedoninë e Veriut e gjen në pozitë ku partitë në pushtet po mundohen të arrijnë konsensus bashkë me opozitaren OBRM-PDUKM për t’i miratuar ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të domosdoshme për vazhdimin e rrugës evropiane dhe largimin e vetos së Bullgarisë. RMV po tenton që të mos i përsëritet problemi me Greqinë, i cili zgjati plot 27-vite.

Bullgaria, me të cilën vendi ynë ka nënshkruar dhe një marrëveshje për fqinjësi të mirë në vitin 2017-të, i ka vënë dy herë veto për fillimin e bisedimeve, ashtu sikur Greqia para Marrëveshjesh së Prespës. Sot, Greqia është aleate e Maqedonisë së Veriut dhe e fton Bullgarinë ta heqë veton.