May 7, 2024
Maqedoni

Ligji për praktikat e padrejta tregtare, Bekteshi: 2.500 produkte me marzhë të kufizuar

Lista me 2.500 produkte, të cilat do të kenë marzhë të kufizuar e që buron nga Ligji për praktikat e padrejta tregtare, veç më është gati, informojnë nga Ministria e Ekonomisë. Kjo listë do t’i dërgohet komunitetit të biznesit që do të kenë afat prej 10 ditëve për të dhënë mendimin e tyre apo sugjerimet për atë se cilat produkte duhet të jenë në listë, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Është një zgjidhje ligjore, ku mbi 2.500 produkte ushqimore dhe bujqësore do të kenë marzhë jo më shumë se 10% në të gjithë zinxhirin e tregtisë duke filluar nga prodhuesi deri tek tregtia me pakicë. Produktet të cilat do të jenë pjesë e kësaj zgjidhjeje ligjore do të kenë çmime të përballueshme për qytetarët.”, – deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Nga Organizata për mbrojtjen e konsumatorëve nuk dhanë koment mbi listën për produktet me arsyetimin se ende nuk e kanë parë. Vlerësojnë se ligji do të rregullojë tregun, por sipas tyre nuk do të ndikojë në uljen e çmimeve të produkteve.

“Ky ligj edhe gjashtë muaj nuk do të mund t’i rregullojë çmimet, gjegjësisht marzhën prej 10%. Nuk dihet se kush do ta zbatojë ligjin dhe në këtë periudhë kohore qytetarët mund të pagujnë produkte më të shtrenjta.”, – theksoi kryetarja e Organizatës së konsumatorëve, Marija Loncar Venkova.

Ministri i Ekonomisë i pyetur për atë se gjatë periudhës se kaluar ka pasur rritje të çmimeve edhe tek produktet bujqësore, tha se çështjen e çmimeve dhe te prodhimit e ndjek Ministria e Bujqësisë, ndërsa në rast se ka keqpërdorim në pjesën e tregtisë, atëherë reagon Ministria e Ekonomisë. Këto komente, Bekteshi i bëri gjatë shënimit të 15 marsit apo Ditës botërore të konsumatorit.