LD-ja e Izet Mexhitit pyet Kreshnik Bekteshin: Sa është rritur rroga mesatare deri sot tek shumica e qytetareve?

”Duam që të informojmë opinionin e gjërë dhe gjithashtu ministrin e ekonomisë se rroga mesatare që sipas tij qenka rritur për 14.6%, ka ndodhur në një periudhe ku inflacioni është 14.1%, ndërsa edhe kjo rritje është si rezultat i rritjes së pagave në disa sektore siç është sektori i IT-së, dhe jo i gjithë ekonomisë.

Gjithashtu të dilet dhe të flitet për rritje të rrogës mesatare për 14,6% pas rritjes së pagave të funksionerëve për 78% është sa ironike aq edhe përbuzëse.

Pyetja e vërtetë për Kreshnik Bekteshin është: Sa është rritur rroga mesatare deri sot tek shumica e qytetareve, për ato që janë të punësuar në administratën publike dhe shtetërore, sa është rritur paga e të punësuarve në ndërmarrjet publike?

Me përgjegjësi konstatojmë se tek shumica e qytetarëve jo që nuk ka rritje të standardit jetësor, por tek qytetari i thjeshtë ka varfërim të vazhdueshëm, dhe kjo situatë është gjatë verës.

Gjendja e brishtë finansiare e amvisërive do të goditet përsëri me afrimin e vjeshtës dhe dimrit, kur Kreshnik Bekteshi do t’u mundëson kompanive rritjen trefish të çmimit të drunjve për ngrohje dhe peletave, siç bëri 2 vitet e kaluara” – thuhet në kumtesën e LD-së. /KlanMacedonia/