Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar rreth 138 milionë euro nga llogaritë bankare të kompanisë “Albanian Land Development”, e lidhur me biznesmenin Redi Struga. Veprimi është ndërmarrë në kuadër të një operacioni të gjerë kundër një grupi të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash.
Sipas hetimeve paraprake, sekuestrimi i fondeve është pjesë e një dosjeje më të gjerë, në të cilën janë caktuar gjithsej 20 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale.
Në dosje përmendet edhe biznesmeni Artur Shehu, i cili rezulton në kërkim nga SPAK. Hetuesit dyshojnë se ai ka kryer transaksione që lidhen me shitblerjen e pronave të kompanisë, ndërsa po analizohen lëvizjet financiare për të verifikuar burimin e fondeve dhe lidhjet e mundshme me veprat penale nën hetim.
Ndërkohë, në kuadër të të njëjtit operacion janë sekuestruar edhe pasuri të tjera, përfshirë prona në zonën e Green Coast në Palasë, të regjistruara në emër të Erion dhe Adrian Ramajt, nipat e Fatmir Ramës, i njohur ndryshe si “Miri i Xhikes”.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë rrjetin e përfshirë dhe për të dokumentuar aktivitetin e dyshuar kriminal.

