May 14, 2024
Kosovë

Kusari Lila: Masat e BE-së ndaj Kosovës, të pakuptimta

Masat e BE-së ndaj Kosovës janë të pa kuptimta, vlerëson shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila. Sipas saj është e pakuptimtë që masat vazhdojnë të mbesin në fuqi kundër Kosovës, të cilat janë vendosur vetëm pse i ka dërguar kryetarët e zgjedhur në komunat Veriore nën përcjellje policore, ndërkohë që ndaj Serbisë s’ka masa edhe pse ka organizuar sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë dhe ka planifikuar edhe sulm tjetër.

“D.m.th. mbajtja e masave ndaj Kosovës në kohën kur sot dalin informacione që jo vetëm që Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit, por Serbia ka pasur të planifikuar një sulm tjetër dhe ka pasur lëvizje masive ushtarake drejt kufirit me Kosovën. Edhe artikulli në revistën prestigjioze “Times” ku tregohet se janë deklasifikuar informacionet nga Pentagoni dhe nga këshilltari për siguri të lartë të Shtëpisë së Bardhë për t’iu dhënë informacion dhe për të dërguar mesazh të shpejtë të gjitha vendeve anëtare të NATO-s se Serbia po bën lëvizje ushtarake drejt Kosovës për të parandaluar, e tregtojnë synimin e Serbisë ndaj Kosovës.”, – deklaroi Mimoza Kusari Lila nga Vetëvendosja.

Koordinatorja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, njëherit bëri të ditur se në proces e sipër është procedura për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në komunat veriore, ku është organizuar peticion për shkarkimin e kryetarëve shqiptar të këtyre komunave, të cilët u zgjodhën pasi serbët bojkotuan zgjedhjet.