April 28, 2024
Rajon - Botë

Kurti ua futi sherrin në Beograd, grushte dhe tensione në Parlamentin e Serbisë (Video)

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka raportuar të enjten para deputetëve të Kuvendit të Serbisë. Në Kuvend prezantoi ato që ai i konsideron të meta të planit evropian të propozuar nga ndërkombëtarët për arritjen e marrëveshjes me Kosovën, por edhe pasojat që Serbia mund t’i ketë në rast të mos pranimit të tij. Seanca u përcoll me diskutime të shumta e të ashpra mes deputetëve. Prezentë në seancë ishin edhe përfaqësuesit e Listës Serbe

Kosova ishte arsyeja që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka mbledhur në një seancë deputetët serbë, të enjten.

Në Kuvend, Vuçiqi prezantoi një raport për Kosovën, me zhvillimet që e kanë përcjellë atë që nga viti i shkuar.

Duke folur për planin evropian, presidenti serb tha se 90 për qind e asaj që ka rrjedhur në publik është e vërtetë.

Duke mos dashur të flasë për të mirat e këtij plani, Vuçiq ka përmendur pasojat për të cilat tha se është paralajmëruar nga ndërkombëtarët, nëse e refuzon propozimin.

“Më kanë thënë se do të përballeni me pezullimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në, jo vetëm me ndërprerjen e investimeve të mëtejshme, por edhe me tërheqjen e të gjitha investimeve nga vendi juaj dhe me masa të tjera gjithëpërfshirëse që duhet të tregojnë se si ata që nuk janë dakord me BE-në duhet të largohen”, tha Vuçiqi.

Vuçiqi pranoi se nuk mund të ndalohet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas tij, çështja është nëse Serbia do të qëndrojë në Këshill pas anëtarësimit të Kosovës.

“Kur të vijë te votimi në Këshill të Evropës, ata do ta kenë shumicën, kundërshtuam apo jo, do ta kenë shumicën për anëtarësim në NATO, kundërshtuam apo nuk kundërshtuam në Bashkim Evropian, vendimin e marrin vetë ata”, deklaroi ai.

Presidenti i Serbisë tha se nuk do të heqin dorë deri në themelimin e Asociacionit, derisa akuzoi Kosovën se është duke synuar ta fusë Serbinë në konflikt me NATO-n.

Raportimi i Vuçiqit në Parlament nuk kaloi pa tensione.

Derisa ai fliste për Kosovën, opozita në Kuvendin e Serbisë, shpalosi parulla si “E ke dorëzuar Kosovën”, “Jo ultimatum, jo kapitullim”. Në mesin e tyre ishte edhe një fotografi e politikanit serb të vrarë Oliver Ivanoviq, që shoqërohej me mesazhin “Do të jepni përgjegjësi”.

Diskutimet e ashpra të opozitës me presidentin arritën deri në atë pikë sa disa prej deputetëve u ngritën në këmbë dhe iu drejtuan Vuçiqit me tone të ashpra. Njëjtë vepruan edhe deputetët e pushtetit që dolën në mbrojtje të tij, e që kaloi deri në përplasje fizike mes tyre.

Në seancë morën pjesë edhe udhëheqës të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, si Goran Rakiq, Igor Simiq, e Milan Radoiçiq.