May 21, 2024
Kosovë

Kurti për Asociacionin: Vuçiq do një ‘shtet brenda shtetit’, që të krijojë jo funksionalitet në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për televizionin austriak ORF, ka thënë se ka ofruar që të shkruajë një draft- statut për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme, por se ka refuzuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Jam unë që kam ofruar që të shkruajë një draft- statut për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme, që duhet të respektojë Kushtetutën e Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimin e BE-së që ky Asociacion nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv, asnjë shtresë të tretë të pushtetit, dhe qëndrimin e SHBA-së, i publikuar nga Chollet dhe Escobar”, u shpreh Kurti.

Sipas Kurtit, Vuçiq nuk ka interes për Asociacioni, por se dëshiron që mos ta njohë kurrë Kosovën dhe të marrë një “shtet brenda shtetit”, që të krijojë jo funksionalitet.

“Këto lloj kërkesash nuk mund t’i pranoj por gjithçka që është brenda Kushtetutës, dhe që respektojnë vlerat dhe modelet evropiane, jam i gatshëm të diskutoj. Unë kam thënë në takime se nuk mund të ofroj kafe pa një filxhan. Nëse insistojnë në kafe pa filxhan, mund t’u tregoj vetëm filxhanin të zbrazur. Asociacioni duhet të ketë kornizë ligjore demokratike dhe kjo është pavarësia e Kosovës, e njohur nga 117 shtete nga e gjithë bota, 22 nga 27 shtete të BE-së dhe 26 nga 30 anëtarë të NATO-s”, tha kreu i Qeverisë.

Tutje shtoi se Kosova ka qenë bujare me serbët lokalë, dhe se do të vazhdojë t’i mbrojë të drejtat e tyre.

“Marrëveshjen që paraardhësit e mi bënë 10 vite më parë dhe tetë vite më parë, nuk e kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sepse kanë shkelur kushtetutshmërinë tonë. Gjuha serbe në Kosovë është gjuhë zyrtare, dhjetë nga 38 komunat janë me shumicë serbe kemi 10 ulëse të rezervuara në Kuvend por serbët po i bojkotojnë pasi Beogradi po i urdhëron. Ne kemi qenë shumë gjenerozë me serbët në Kosovë, unë jam edhe kryeministri i tyre, dua t’i mbroj të drejtat e tyre”, deklaroi ai.

Kurti tha se serbët duhet të jetojnë në Kosovë, por nuk ka shanse për Republikë Serbe sikur në BeH, dhe ky është pikërisht qëllimi i Beogradit zyrtar.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizim, që ndërmjetësohet nga BE-ja, kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit dhe tha se mund të harmonizohet përmes akteve nënligjore.

Më herët gjatë vitit, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raportet.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.