April 28, 2024
Kosovë

Kurti: Në qershor mund të rifillojë dialogu, dokumentet “non paper” ndoshta janë kërcënime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se në muajin qershor do të rifillojë dialogu me Serbinë. Duke thënë se dialogu nuk po neglizhohet nga qeveria e tij, Kurti ka bërë të ditur se gjatë muajit maj do të takohet edhe me partitë opozitare në Kosovë për t’u përgatitë për fazën finale të dialogut. Ndërkohë, tha se dokumentet “non paper” lidhur me arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë mund të jenë kërcënime, por nuk do të merret me to.

Përmes një konferencë të përbashkët për medie, me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, Kurti tha se do të jetë në Bruksel në mesin e muajit maj për një darkë pune me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Ka disa korniza kohore që janë vendosur në tavolinë. Ne në kabinetin qeveritar do ta aprovojmë planin qeverisës dhe planin e punës. Pastaj ky plan do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për diskutim. Prandaj ne kemi nevojë të kemi më shumë informacion dhe dokumente rreth marrëveshjeve të arritura të mëparshme në mënyrë që të përgatitemi. Në të njëjtën kohë ne do të takohemi me partitë opozitare në Kosovë në mënyrë që të kemi edhe mendimet e tyre. Të kemi një dialog me principe dhe mirë të përgatitur. Nuk duam të bëjmë gabime, prandaj përgatitja e mirë do të thotë që e marrim shumë seriozisht. Fillimisht do të kemi këtë takimin e liderëve të Ballkanit perëndimor në këtë darkë pune dhe muajin qershor, diku mund të kemi fillimin e kapitullit tjetër të dialogut me praninë edhe të ndërmjetësueseve të BE-së”, tha ai.