Nuk është e vërtetë se është gjetur Escherichia coli në ujin që furnizon Shkupin. Banorët e Shkupit të jenë të qetë, tha sot kryetari i Komunës së Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili para gazetarëve piu një gotë ujë nga çezma.
Gjorgjievski mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp pas thashethemeve që filluan të shpërndaheshin masivisht në rrjetet sociale se uji nga ujësjellësi i Shkupit dyshohet se është i ndotur me Escherichia coli dhe se tashmë ka pacientë të sëmurë në Klinikën Infektive.
– Do të ketë përgjegjësi për të gjithë ata që shpërndajnë panik dhe histeri, gjë që sipas meje është e barabartë me terrorizëm. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme do të dorëzohen të gjitha profilet në rrjetet sociale që shpërndajnë lajme të rreme – porositi Gjorgjievski.
Ai theksoi se ai, familja e tij dhe djali i tij 8-vjeçar e pinë këtë ujë, për të cilin tha se është i pastër dhe një nga më cilësorët.

