Pas një periudhe të gjatë pa dialog të mirëfilltë, Sindikata e Kulturës e Republikës së Maqedonisë (SKRM) e vlerëson pozitivisht qasjen e ministrit të ri të Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, dhe hapjen e një procesi konkret për adresimin e problemeve të punonjësve në kulturë.

Në një reagim pas takimit të punës me ministrin Sulejmani, SKRM e cilëson takimin si një hap të rëndësishëm dhe shpreh besim se qëndrimi pozitiv i ministrit ndaj çështjeve të hapura do të shndërrohet në zgjidhje konkrete.

Sindikata veçanërisht e vlerëson gatishmërinë e ministrit Sulejmani për të vendosur dialogun social në funksion të zgjidhjes së problemeve të grumbulluara prej vitesh në sektorin e kulturës.

Si rezultat i takimit, është dakorduar formimi i dy grupeve të përbashkëta të punës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe SKRM-së. Njëri grup do të merret me Marrëveshjen Kolektive për Kulturën, e cila ndodhet në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, ndërsa grupi i dytë do të punojë për Ligjin për Kulturën.

" "

Në takim janë hapur edhe disa çështje të tjera të rëndësishme, si pagesa e titujve profesionalë në veprimtarinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, avancimet në veprimtarinë teatrore dhe stazhi i privilegjuar për artistët e baletit.

Sindikata e Kulturës thekson se takimi me ministrin Sulejmani nuk duhet të mbetet vetëm një takim formal, por të shërbejë si fillim i një procesi të vazhdueshëm të dialogut dhe bashkëpunimit.

Në reagimin e saj, SKRM shpreh vlerësim pozitiv për qëndrimin e ministrit të ri dhe thotë se qasja e tij ndaj çështjeve të hapura “lë hapësirë për të besuar” se dialogu i dakorduar do të shndërrohet në zgjidhje konkrete dhe rezultate.

Takimi hap kështu një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Ministrisë së Kulturës dhe Sindikatës, me fokus te dialogu, përfshirja e punonjësve dhe zgjidhja e problemeve të akumuluara në sektorin e kulturës.

sqShqip