May 16, 2024

Shkruan: Arsim Zekolli

Emërimi i Talat Xh. për ‘techno-PM’ ceremonial është konform statusit të BDI si përfaqësuese teknike Shqiptare. Sikur i pari, ashtu dhe të dytët, nuk burojnë nga vullneti Shqiptar, por nga makijavelizmi i establishmentit maqedonas.
Ky emërim shpalos edhe prapaskenat e raporteve në BDI dhe gjendjen e partisë në përgjithësi. Në fakt, emërimi i Talat Xh. vjen si “vija e fundit e zorit”, pra, pas refuzimit të Naser Ziberit (i cili nuk beson se nami i të qenurit 3 muaj techno-PM vlen më shumë se interesi për të vazhduar për ca vjet si Ombudsman). Por, vjen edhe pas dështimit të Ali Ahmetit për ta emëruar Teuta Arifin (pas spastrimit të saj moralo-politik në ShBA) për shkak të refuzimit kategorik nga “miqtë tanë ndërkombëtarë”, të Artan Grubit (poashtu i refuzuar) si dhe vetos mbi emërimin e Bujar Osmanit nga ‘klani Grubi’.
Në këtë skenë politike të degjeneruar, nuk mund të thuhet se BDI nuk ka kuadro për poste. Por, në skenën diplo-politike, BDI ka probleme të mëdha, thelbësore dhe ekzistenciale me cilësinë e kuadrove. Emrat e parisë së kësaj partie janë dekor i rregulltë në të gjitha skemat ndërkombëtare të krimit ekonomik dhe krimit politik. Vetë orvatja e Ali Ahmetit që të tenton spastrimin e Teuta Arifit përmes dërgimit (lexo: pranimit) të saj në ShBA si paralojë për të trasuar rrugën e saj si kandidatë SDUI, dështoj pas refuzimit kategorik nga “miqtë tanë ndërkombëtarë”. Idea për eksploatim të fundit të Teutës “në emër të Shqiptarëve” dhe sidomos “në emër të Tetovarëve” vetëm se nënvizoi natyrën epidemike të veprimit të saj në kuptim të infektimit të partisë me virusin Daka.
Prandaj, shtrohet pyetja: sa të tjerë në Kryesinë e BDI-së janë të infektuar me këtë virus dhe detyruar në karantin nga “miqtë tanë ndërkombëtarë”?
Burimet nga BDI minimalizojnë numrin. Burimet nga “miqtë tanë ndërkombëtarë” porosisin: do ta kuptoni gjatë muajve në vijim.
BDI-ja ka problem deficiti kuadrosh që plotësojnë kriteret e “miqtë tanë ndërkombëtarë” dhe kriteret e votuesve Shqiptar. Normal, emerimi i Talat Xh. vërteton se ky deficit nuk kërcënon kriteret e partive etnike maqedonas, klanit ADI në Gostivar dhe interesit të BDI dhe partive maqedonase që – pas humbjes së Tetovës dhe Shkupit – të bëjnë ç’mos për të shpëtuar kontrollin mbi Gostivarin, si qendër e politikës “përçaj e sundo” të LSDM/VMRO dhe BDI.
Zaten, nuk është që establishmenti nuk ka të dhëna kompromituese për techno-PM (ashtu si që ka për akëcilin në BDI), por në këtë pikë interesi për Shqiptarët kooperativë sikur Teuta, Fatmiri, Arberni, Talati nuk kërcënon interesin dhe ndikimin e qarqeve në Gostivar të dirigjuara nga Shkupi. Rrjedhimisht, tentativa e LSDM-së dhe Ali Ahmetit është që – pas humbjes në Tetovë – të zhvendos qendrën në Pollog nga Tetova drejt Gostivarit.
Ashtu si paralajmëronim, gjendja në BDI tani është e vërshuar me konflikte personale e klanore më shumë seç ishte në kohën e ‘zjarrtarëve’. Sanksionet e imponuara nga jashtë tani ndikojnë edhe në limitimin e aspiratave të kuadrove BDI që kuptojnë se lehtësia e padurueshme për krim-korrupsion tani ka kosto të lartë. Humbja e aftësisë së Ali Ahmetit për të garantuar kontroll mbi Shqiptarët, rezulton në humbje të interesit për ta mbajtur BDI-në në pushtet dhe hapë shtegun për kalkulime tjera. Strategjia e Ahmetit për të siguruar ndikimin e tij (Serbofil) pas largimit dhe nga prpapavija përmes Artan Grubit, Teuta Arifit, Bujar Osmanit, nuk është më as atraktive për të huajt, as e pranueshme nga Shqiptarët. Në këtë rrafsh, ashtu si ShBA sanksionon Angjusheva dhe Daka (me porosi kërcënuese indirekte ndaj Zaev, Mickoski), ashtu dhe ShBA përmes sanksionimit të Arifit, Merkos, dërgon porosi kërëcenuese në adresë të Ali Ahmetit. Porositë e këtilla do të fuqizohen edhe më tej, edhe më drejt për drejtë.
Prandaj, o nëse quhet Talat, o nëse quhet Teuta, o nese quhet Ramiz, është evidente se Ali Ahmetit po i shterren resurset e “figurave emblemike”, nga periudha e 90-tave dhe “epopesë UÇK-së” që përdoreshin për të eksploatuar sentimentet e Shqiptarëve. Tani, kjo tentativë, me gjeneratën e ‘Tik-Tok shminkerave’ dhe “Tanga-Tayna” patriotëve, nuk sjell rezultatin e anticipuar dhe shkakton luhatje në narrativin partiak dhe fragmentizim në strukturën partiake. Periudha e dominimit të BDI-së e bazuar në eksploatimin e UCK-së dhe gjeneratës së sakrificave, përfundoi me largimin e tyre (nga Zoran Zaev), ndërsa periudha e eksploatimit të reformave dhe modernizimit përfundoi me ngritjen e Gjeneratës Daka dhe prepotencës mediale të ‘Tik-Tok shminkerave’. E komprometuar skajshmërisnt nga virusi Daka për të eksploatuar UCK, e komprometuar ndërkombëtarisht nga Merko për të eksploatuar reformizmin, e komprometuar strukturalisht nga Arifi-Grubi për të aktruar modernistë dhe “gragjanski”, BDI tani është në kërkim të identitetit të saj para-zgjedhor. Me shpresë se këtë imazh do t’ia konstruojnë PR-marketing strategët nga Austria dhe Izraeli. Dhe, helbetne, ndoshta, me tehmine, hajt ishalla, techno-PM Talat Xhaferi. Po, ai Talat Xhaferi në fund të karrierës së tij.

* “techno-PM” = kryemistër teknik