May 15, 2024
Maqedoni

Flet deputetja nga Shkupi lidhur me “krizën e bukës”: Edhe meshkujt të mësohen të gatuajnë!

Duhet të punohet për edukimin mediatik, sepse nuk mund të lejojmë tituj si: “gratë duhet të përveshin mëngët për të gatuar”, deklaroi deputetja dhe kryetarja e Partisë Liberal Demokrate, Monika Zajkova, në emisionin Argument Plus në Tv 24.

Ajo ka komentuar shkrimet mediatike dhe debatet në rrjetet sociale lidhur me krizën dyditore të bukës në Maqedoninë e Veriut, ku ka pasur komente të shumta se gratë sërish duhet të gatuajnë, transmeton Lideri.mk.

Zajkova thotë se “ne nuk kemi edukatë që në moshë të vogël dhe barazinë gjinore ende e trajtojmë si një lloj fenomeni për të cilin duhet të flasim”.

“Fatkeqësisht, ne jetojmë në një kohë të raporteve patriarkale gjinore dhe kemi një shoqëri plot me stereotipr që duhet t’i kapërcejmë, edukimi që në moshë më të hershme se çfarë do të thotë barazia gjinore dhe të drejtat e njeriut duhet të futet urgjentisht në programet shkollore. Amviset u thirrën për të gatuar bukë, por nuk shoh problem që edhe burri të gatuajë bukë, sidomos jo në një tranzicion kaq global ku gruaja kontribuon ekonomikisht po aq sa burri, ndoshta edhe më shumë në disa familje, ku edhe ajo i përgjigjet të gjitha trendeve moderne shoqërore, tha Zajkova.