Anketë: Taravari barazohet me Ahmetin, Mexhiti i treti

Izet Mexhiti rezulton personaliteti politik jo lider për të cilin qytetarët kanë mendimin më të madh pozitiv, ndërkaq zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi gëzon mendimin më të madh negativ nga qytetarët, përkatësisht rreth 60 për qind. Kështu vërteton një anketë e realizuar në gjysmën e dytë të muajit shkurt. Mexhiti radhitet në grupin e liderëve politikë duke gëzuar 43,5 për qind mbështetje, ndërsa para tij radhiten vetëm Ali Ahmeti me 48,9 për qind dhe Arben Taravari me 46 për qind. Edhe pse Mexhiti gëzon këtë mbështetje jo si një lider i një partie politike, prapa vetes lë Bilall Kasami dhe Afrim Gashin.
Konstatim nga anketimi

“Të anketuarit mendim më pozitiv kanë për Ali Ahmetin (48,9%), Arben Taravarin (46%) dhe Izet Mexhitin (43.5%), ndërkaq mendim më negativ kanë për Mendu Thaçin (58,6%) dhe Artan Grubin (58,3%). Më së paku i njohin Bashkim Hasanin dhe Kastriot Rexhepin”.

Lidhur me zhvillimet brenda BDI-së dhe veprimet e “grupit të zjarrit”, të anketuarit nxjerrin Mexhitin si eksponentin më të favorshëm për një lider të ardhshëm politik. 21,4 për qind e të anketuarve mendojnë se Mexhiti mund të jetë lider i një partie politike, ndërsa pas tij mbështetje të ulët përkatësisht nën 10 për qind gëzojnë Musa Xhaferi, Nevzat Bejta dhe Visar Ganiu.
Në lidhje me betejën brenda BDI-së, 30,5 për qind për qind e të anketuarve konsideron se lufta e grupit të zjarrit është e drejtë, ndërsa rreth 14 për qind për qind vlerësojnë se bëhet fjalë për betejë personale kundër kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.

Konstatim nga anketimi
Grupi i zjarrit bën betejë të drejtë për reforma brenda BDI-së dhe reformave në shtet (30,5%)
Është çështje e tyre e brendshme partiake, e parëndësishme për shtetin (26,1%)
Grupi i zjarrit bën betejë personale kundër Ali Ahmetit (14%)