May 20, 2024
Maqedoni

Krenar Lloga rrugës së Arbën Xhaferit!

I impresionuar nga Akademia Verore “Arbën Xhaferi” që këtë vit u mbajt në Gjilan të Kosovës, me bashkëorganizim të kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, ku pata nderin të paraqitem me një ligjeratë para studentëve, të rinjve e aktivistëve nga troje të ndryshme të cilët ndjekin trajnime, ligjërata dhe aktivitete të ndryshme. Njohja e të rinjve me politikën dhe filozofinë e Arbën Xhaferit është një kontribut i rëndësishëm në ruajtjen dhe kultivimin e frymës politike të një ikone që politikës shqiptare dhe jo vetëm, i dha shumë në momentet dhe proceset më të rëndësishme.
“Arbën Xhaferi thoshte se gjithmonë kur merrni një fenomen për ta gjykuar, duhet të ktheheni në histori, pra mos e merrni ad-hok pjesën e asaj që ndodh tani për të dhënë një mendim, por duhet të ktheheni pas për ta parë se ku buron”.
Kjo ishte një nga këshillat e shumta të Arbën Xhaferit, që kam pasur nderin ta mësoj nga afër si kryetar i Forumit Rinor dhe bashkëpunëtor i tij për vite me radhë. Para studentëve theksova edhe kontributin e filozofit dhe ideologut të madh kombëtarë, i cili veproi në momente të rëndësishme të politikës së shqiptarëve si në Maqedoni ashtu edhe në Kosovë. Gjatë kohës së Arbën Xhaferit, në vitin 1998 filloi rilindja politike për shqiptarët në Maqedoni, ndërsa me sukses dhe shumë maturi ai menaxhoi shumë situata të krizës dhe solli vendime historike për përparimin institucional të shqiptarëve.
Arbën Xhaferi dha kontribut të madh edhe gjatë periudhës së çlirimit të Kosovës e veçanërisht në momentet kur silleshin vendimet më të rëndësishme për të ardhmen e shtetit, duke qenë në bashkëveprim me figurat qendrore politike të kohës, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Top24