RMV, projektet kyçe infrastrukturore vitin e kaluar ngecën në labirintet e tenderëve dhe administratës

Vitin e kaluar, 2021, e shënoi zhvillimi i mëtejshëm të trafikut rrugor, si dhe regresi i atij hekurudhor në vend. Gjithashtu, viti i kaluar mund të karakterizohet si periudhë në të cilën projektet kyçe të infrastrukturës në Maqedoni ngecën në labirintet e tenderëve dhe procedurave administrative, transmeton Meta.mk.

Tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë zgjati gjatë gjithë vitit, ndërkohë që pjesë e mirë e vitit kaloi në finalizimin e procedurës për përzgjedhjen e kontraktuesve të ekspres rrugës Gradsko-Prilep në Korridorin 10d, filloi procedurë e re e tenderimit për vazhdimin e ekspres rrugës Rankovce-Kriva Pallankë në Korridorin 8, ndërsa afati i ri për përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër ngeci në Kuvendin e RSM-së.

Ajo që u realizua me sukses vitin e kaluar është sigurisht lëshimi në përdorim i ekspres rrugës Shtip-Radovish. Të dyja fazat e këtij projekti të rëndësishëm për pjesën juglindore të vendit përfunduan vitin e kaluar dhe me këtë iu mundësua qytetarëve segment modern rrugor prej 40 km, me shpejtësi maksimale 110 km në orë. Me ndërtimin e kësaj ekspres rruge është përgjysmuar kohëzgjatja e udhëtimit Shkup-Strumicë, por edhe ndërmjet vendbanimeve të tjera në këtë pjesë të vendit.

Qeveria u lavdërua se ekspres rruga Shtip-Radovish ka përfunduar para afatit të planifikuar për realizim të projektit, që është vërtet rrallësi në historinë e realizimit të ndërhyrjeve të mëdha infrastrukturore. Megjithatë, në projektet e tjera të rëndësishme, në vitin 2021 janë shënuar vonesa në afatet e realizimit.

Ashtu, në fillim të vitit të kaluar, nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore premtuan se deri në fund të vitit 2021 do të përfundojë ndërtimi i fazës së dytë të ekspres rrugës Shtip-Koçan. Pjesa nga fshati Krupishte deri në Koçan është 13,7 km, por njoftimet e fundit të qeveritarëve janë se finalizimi i këtij projekti kapital për pjesën lindore të Maqedonisë do të presë që të hapet për trafik deri në vitin 2022.

Përkundër paralajmërimeve se do të jenë gati në vitin 2021, dy kilometrat e para të autostradës Shkup-Bllacë planifikohet të përfundojnë kah mesi i vitit 2022, njoftoi Qeveria e RMV-së në fund të vitit të kaluar. Nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore para gati një viti për Meta.mk thanë se presin që kontraktuesi t’i respektojë afatet, gjegjësisht deri në verën e vitit 2021 të përfundojë ndërtimi i pjesës nga vendkalimi kufitar deri në kryqëzimin Bllacë.

Për sa i përket tejkalimit të afateve, më shqetësuese është gjendja me autostradën Kërçovë-Ohër në Korridorin 8. Më 30 qershor të vitit të kaluar kaloi afati i dytë i seksionit prej 57 km. Verën e kaluar, qeveria miratoi një aneks për zgjatjen e afatit për këtë projekt kapital, me propozim që afati për ta lëshuar në përdorim autostradën të shtyhet deri më 31 dhjetor 2023.

Megjithatë, edhe pas më shumë se katër muaj nga vendimi i qeverisë Kuvendi i RMV-së ende nuk e ka miratuar aneksin për vazhdimin e afatit për përfundimin e autostradës nga kontraktuesi kinez “Sinohydro”. Ndërkohë punimet ndërtimore të kësaj autostrade, në terren, po zhvillohen me ritme të ngadalta.

Në Korridorin 8 vitin e kaluar me ritme më të ngadalta ndërtohej edhe ekspres rruga Rankovc-Kriva Pallankë, pasi u ndërpre kontrata me kompaninë italiane “Tirena Skavi” në pjesën e ndërtimit të nën-segmentit nga Dlaboçica deri në Çatal në gjatësi prej 15,5 km. Për këtë rrugë është shpallur tender i ri dhe punimet për përfundimin e kësaj ekspres rruge duhet të vazhdojnë në vitin 2022.

Një prej ngjarjeve më të rëndësishme që e shënuan vitin 2021 është vendimi për hyrjen e konsorciumit amerikano-turk “Behtel-Enka” që të përfundojë rrugët e Korridoreve 8 dhe 10d. Në mars, Qeveria e nënshkroi Memorandumin për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim, ndërsa më pas Kuvendi i RMV-së e miratoi Ligjin për përcaktimin e interesit publik dhe emërim të partnerit strategjik për zbatimin e projektit.

Në të njëjtën kohë Komisioni Kundër Korrupsionit, kërkoi nga Gjykata Kushtetuese të anulojlë dhe ndalojë zbatimin e ligjit të posaçëm që u miratua nga Kuvendi i RMV-së, por gjyqtarët kushtetues në fund nuk nisën procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë. Qeveria në fund të vitit formoi Komision për negociata dhe ekip për negociata me “Behtel-Enka” për ndërtimin e autostradave Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë të Korridorit 8, si dhe segmentin e autostradës Prilep – Manastir të Korridorit 10d.

Viti 2022 do të jetë viti kur do të dihen shumë më tepër detaje për burimet e financimit, mënyrën e ndërtimit dhe afatet për ndërtimin dhe përfundimin e Korridorit 8, që tashmë disa dekada është interes strategjik i vendit. Tashmë është e sigurt se traseja e parë e cila planifikohet të ndërtohet do të jetë Gostivar-Kërçovë, në segmentin nga Kërçova në fshatin Bukojçan për shkak se mjetet e parapara për ndërtimin e saj u siguruan në fund të vitit të kaluar.

Kur bëhet fjalë për projektet kyçe të rrugëve, vlen të theksohet se pas një pauze të gjatë, vitin e kaluar filloi përfundimi i ndërtimit të ekspres rrugës Gradsko-Prilep, ku ndërtimin e seksionit nga Drenovska deri në grykën e Farishkës e mori përsipër kompania kineze “Sinohydro”. Kjo kompani, e cila fillimisht ishte përfshirë në ndërtimin e autostradës Miladinovci-Shtip dhe Kërçovë-Ohër, aktualisht është përfshirë edhe në ndërtimin e fazës së dytë të autostradës Shtip-Koçani.

Për dallim nga suksesi i pjesshëm në realizimin e projekteve të infrastrukturës rrugore, në pjesën e hekurudhës viti 2021 u shënua në mënyrë të palavdishme. Ndonëse ishte premtuar që përzgjedhja e kontraktuesit për hekurudhën Kumanovë-Kriva Pallankë, të Korridorit 8, do të përfundonte vitin e kaluar, kontraktuesi deri në fund të vitit nuk u zgjodh, si dhe punimet ndërtimore në terren nuk kishin filluar.

Komisioni Evropian në Raportin e tij për progresin e reformave të vendit, vitin e kaluar kërkoi nga vendi të marrë masa urgjente për të përshpejtuar realizimin e hekurudhës me gjatësi prej 64,8 km. Ofertat e kompanive dhe konsorciumeve të interesuara për ndërtimin e këtij seksioni hekurudhor janë dorëzuar nga mesi i nëntorit, por përzgjedhja e kontraktuesit më të favorshëm dhe fillimi i punimeve të ndërtimit pritet gjatë tremujorit të parë të vitit 2022.

Në vitin 2021 përfundoi konstrukti financiar për ndërtimin e fazës së tretë, të fundit, të hekurudhës për në Bullgari, ndërmjet Kriva Pallankës dhe pikës kufitare Deve Bair, për të cilën Qeveria e RMV-së aplikoi në Fondin Investues për Ballkanin Perëndimor (WBIF) për të siguruar shumën prej 150 milionë euro.

Një moment pozitiv për infrastrukturën hekurudhore është fakti se vitin e kaluar Ndërmarrja Publike për Infrastrukturë Hekurudhore punoi në projektin ideor për ndërtimin e degës së re hekurudhore, nga hekurudha ekzistuese Shkup-Kumanovë deri në Aeroportin Ndërkombëtar Shkup.

Ndërmarrja publike pret që deri në fund të vitit 2023 do të ndërtohej hekurudha deri te aeroporti i Shkupit, që do të siguronte lidhje të drejtpërdrejt hekurudhore ndërmjet qendrës së Shkupit me aeroportin. Për këtë projekt duhet të përfundojë dokumentacioni i projektit dhe të sigurohen mjete për financim, ndaj pritet që në vitin 2022 të punohet në këto aktivitete.

Ndryshe, transporti hekurudhor në vend për herë të parë vitin e kaluar u përball me mos përmbushje të orarit të paraparë, në të cilin ka të regjistruar vetëm 15 çifte trenash në ditë. Trenat ndërkombëtarë të udhëtarëve nuk ishin planifikuar fare në vitin 2021, megjithatë më shumë se gjysmë viti në 2001 nuk kanë qarkulluar as trenat nga Shkupi për në Kërçovë, Koçani dhe Prishtinë.

Në kushte kur BE-ja e shënoi vitin 2021 si Vitin Evropian të Hekurudhave në shtator të vitit të kaluar në Shkup erdhi treni evropian “Connecting Europe Express”duke e dërguar mesazhin e BE-së se e ardhmja e transportit është në hekurudhat, hapat që i ndërmorën autoritetet e Maqedonisë, për të reduktuar transportin hekurudhor të udhëtarëve janë në kundërshtim të plotë me mesazhet që vijnë nga Brukseli zyrtar.

Konkluzioni nga viti i kaluar është se më shumë punë dhe përmbushje e afateve dhe premtimeve që i ka dhanë qeveria qendrore në fushën e projekteve kyçe rrugore dhe hekurudhore nuk do të bënin keq, si për të shmangur kritikat që vijnë nga BE për përmbushjen e tyre, ashtu edhe për të tejkaluar pakënaqësinë e opinionit në Maqedoni lidhur me realizimin e tyre.