April 28, 2024
Kolumna

Korniza e barazisë së kufizuar

Me Marrëveshjen e Ohrit maqedonasit ia dolën ta ruajnë shtetin monoetnik, ndërkombëtarët e shpëtuan këtë shtet nga një luftë civile dhe Ballkanin nga një konflikt i pakontrolluar, duke e orientuar në agjendën euro-atlantike, ndërsa faturën e paguan shqiptarët. Shqiptarët u desh të kënaqen me ndryshime kozmetike, me pak pushtet fiktiv, por duke humbur një shans të madh historik që ta kthejnë Maqedoninë në shtet të barazisë, që mund të përkthehej si shtet binacional ose si shtet i vërtetë qytetar.

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup

Sivjet, kur bëhen 20 vjet nga arritja e Marrëveshjes së Ohrit, ky është një moment i mirë për ta vlerësuar jo vetëm marrëveshjen në vetvete, por edhe për t’i parë efektet e saj, madje – përtej kësaj – nga kjo perspektivë kemi mundësi që me esëlli të plotë ta shohim se çfarë ka qenë synimi i saj dhe çfarë është arritur gjatë kësaj kohe përmes saj.

Konteksti historik

Në janar të vitit 2001 në Republikën e Maqedonisë (nga viti 2018 “Republika e Maqedonisë së Veriut”) u paraqitën grupet e para të armatosura të shqiptarëve, që identifikoheshin si Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Pas një sërë luftimesh në zona të ndryshme të vendit (malësia e Kumanovës, Tetovës dhe Shkupit), UÇK-ja – si guerile mjaft mirë e organizuar – kishte korrë disa fitore dhe kjo ia kishte imponuar qeverisë që të ulet me partitë politike shqiptare të kohës (gjithsesi me mbështetje të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së), me ndërmjetësim të SHBA-së dhe BE-së, që të arrihet një marrëveshje që do ta ndalte luftën dhe do të krijonte një kontekst tjetër shoqëroro-politik në këtë shtet.

Në të vërtetë, në fillim kishte pasur një refuzim dhe bojkot ndërkombëtar ndaj UÇK-së, që dukej edhe nga vokabulari që përdorej ndaj saj (Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, i pati quajtur “terroristë” dhe “vrasës”), por më vonë UÇK-ja do të bëhet palë e negociatave nga distanca. Bile, ç’është e vërteta, pa aminin e tyre as nuk do të nënshkruhej Marrëveshja e Ohrit.

Meqë bisedimet zhvilloheshin në Ohër, në rezidencën e presidentit të atëhershëm Boris Trajkovski, ajo do të njihet si “Marrëveshja e Ohrit”. Ajo që do të bënte përshtypje dhe që gjatë gjithë kohës mbase ka mbetur e paqartë deri në fund është se marrëveshja do ta ketë edhe një përcaktor në mes – “Kornizë”, pra emri i saktë i saj do të jetë “Marrëveshja Kornizë e Ohrit”. Dhe, duke u marrë me përmbajtjen e saj, me kontestimin ose himnizimin e saj, shumë shpesh është lënë në harresë se cili ka qenë kuptimi i kornizës së vendosur ndërmjet Marrëveshjes dhe Ohrit. Këtë do të mundohemi ta shpjegojmë më poshtë.

Marrëveshja u nënshkrua më 13 gusht 2001, një datë që njëherazi shënon edhe përfundimin e konfliktit zyrtar të luftës ose konfliktit të armatosur në Maqedoni në vitin 2001.

Pas kësaj, formacioni i UÇK-së do të demilitarizohet dhe do të formojë parti politike (Bashkimi Demokratik për Integrim), e cila gati se pandërprerë do të jetë në secilën qeveri në këto 20 vjetët e fundit të jetës politike në Maqedoni. Dhe, prania e kësaj partie në qeveri ka qenë gjithnjë nën arsyetimin se është aty që t’i përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së Ohrit (MO).

Perceptimi i Marrëveshjes

Në perceptimin e BDI-së, si pasardhëse e UÇK-së, por edhe të atyre që duan ta shohin MO-në me optimizëm, lufta e vitit 2001 dhe Marrëveshja e Ohrit janë momente historike për shqiptarët në Maqedoni, sepse – sipas tyre – shqiptarët për herë të parë arritën të imponojnë një marrëveshje me garanci ndërkombëtare. Gjithnjë sipas tyre, derisa në fillimvitet e ’90-ta shqiptarët vriteshin pse shisnin një paketë cigare në pazar (si në ngjarjet e Bit Pazarit më 1992), derisa në shkollat mesme duhej bërë luftë për një paralele shqipe më shumë, derisa historia e Universitetit të Tetovës do të fillonte me një vrasje (1994), derisa shqiptarët u vranë për flamur në Gostivar (1997), derisa gjuha shqipe gati nuk përdorej askund në komunikimin zyrtar, pas vitit 2001 flamuri do të përdoret lirisht, shkollat e mesme u mundësuan gjithandej, Universiteti i Tetovës u zyrtarizua, gjuha shqipe u bë zyrtare dhe u themelua agjenci dhe inspektorat për zbatimin e saj, shqiptarët për herë të parë filluan të punësohen në administratë (ashtu parashikohej në MO), në polici e në ushtri, madje disa vite më vonë shqiptarët filluan të marrin edhe poste të larta shtetërore, si ministra të Financave, të Punëve të Jashtme, të Punëve të Brendshme, kryetar Parlamenti etj., që – sipas BDI-së – në vitet e ’90-ta ishin vetëm një ëndërr. Dhe, kundruar nga kjo perspektivë, asgjë nuk është sajim. Shqiptari në Maqedoninë e Veriut e ndjen vet se pas vitit 2001 nuk është më ai presioni i të ’90-tave i të qenit shqiptar në këtë vend.

Në anën tjetër, në perceptimin e maqedonasve, me Marrëveshjen e Ohrit, Maqedonia praktikisht është bërë një shtet federal, sepse shqiptarët – nën kërcënimin e armëve – e kanë rrënuar karakterin unitar të shtetit monoetnik të ndërtuar mbi trinitetin shteti-kombi-gjuha. Ata e shohin MO-së si një disfatë etnike maqedonase dhe prandaj gjatë gjithë kohës janë munduar ta sabotojnë dhe pengojnë, madje shpesh edhe ia kanë dalë – MO-ja duhej të implementohet deri më 2004, ndërsa ajo zgjati zyrtarisht deri më 2018 (me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve), por as në ditët tona nuk mund të thuhet se ia kanë vënë pikën.

Maqedonia njëetnike dhe Marrëveshja e Ohrit

Megjithatë, nëse shkëputemi për një çast nga interpretimet sipërfaqësore dhe ato që bëhen për përfitime politike, duke bërë analizë më të thellë se ajo që bëhet nga shtytjet e shtabeve partiake për marketing politik, rezultati nuk është aq idilik.

Gjëja e parë që duhet thënë është se Marrëveshja e Ohrit u bë shpejt e shpejt, sepse zgjatja e konfliktit të armatosur mund të eskalonte në luftë qytetare ose, aq më keq, në një konflikt ndërballkanik, pasojat e të cilit do të bëheshin të pamenaxhueshme. Ndërkaq, punët që bëhen me ngut, gjithnjë lënë pasoja. Vetë teksti i Marrëveshjes së Ohrit dëshmon se aty nuk janë mbyllur temat themelore: statusi i kombit/popullit shqiptar, gjuha shqipe, arsimi sipëror shqip, Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive etj., ndërsa pjesëmarrësit e bisedimeve në disa raste kanë deklaruar se pas sulmit në Karpallëk e kanë pasur ofertën e ndërkombëtarëve “bisedimet kanë përfunduar këtu – mund ta merrni ose ta lini këtë tekst të Marrëveshjes”. Me një fjalë, Marrëveshja e Ohrit është një dokument i papërfunduar.

Pika e dytë e analizës u dedikohet aktorëve. Ali Ahmeti – si përfaqësues politik i UÇK-së – e filloi luftën për ta përmbushur idenë themelore të nacionalizmit shqiptar – Shqipërinë etnike. Por, kur sharra i hasi në gozhdë nga refuzimi ndërkombëtar, u shndërrua në gardian për ruajtjen e Maqedonisë si shtet unitar. Madje, edhe kur atëbotë Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë doli me propozimin për ndarje të Maqedonisë, Ali Ahmeti – për çudi – ishte kundër këtij propozimi. Ky ndryshim kaq radikal meriton një hulumtim më të thelluar, por ajo që mund të supozohet është se ai gjendej nën kërcënimin ndërkombëtar për t’u futur në listën e zezë amerikane (siç ndodhi me disa eksponentë të tjerë të UÇK-së), për të mbetur “terrorist” e “vrasës” dhe kështu krejt investimi 20-vjeçar në LPK t’i binte në ujë. Shto kësaj edhe mungesën e vizonit konceptual se çfarë është kombi shtetformues e populli vetevendosës, mozaiku plotësohet – Ali Ahmeti do të kënaqej po të arrihej një marrëveshje çfarëdo qoftë ajo, por të këtë garanci ndërkombëtare dhe ai të bëhej lider i shqiptarëve në Maqedoni. Një synim që e realizoi me shumë sukses. Dy aktorët e tjerë politikë të kohës, Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) në opozitë dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) në pushtet, do të jenë më shumë zëdhënëse të UÇK-së në tavolinën e bisedimeve sesa që do të kenë rol substancial në vendimmarrje. Jo që nuk kanë pasur njerëz që i kanë ditur gjërat mirë, por paraqitja e UÇK-së në skenë i bëri gati të pafuqishme ato parti për të shtyrë ndonjë agjendë tjetër, pos asaj që mund ta dëshironte Ali Ahmeti nga Shipkovica a nga Prizreni ose, më saktë, pos asaj që atij i pëshpëritej nga dikush që gjatë gjithë kohës i rrinte pranë.

Analiza e aktorëve mund të jetë e shkurtër dhe e fragmentuar, aq sa na lejon hapësira e këtij shkrimi, por ajo që është e rëndësishme të thuhet është se prej këtyre aktorëve u prodhua interesi shqiptar në Marrëveshjen e Ohrit. Ndërsa kjo “arritje” nuk është fort për t’u lavdëruar. Këta aktorë e panë se ndarja e Maqedonisë nuk mund të bëhet, madje e panë se nuk kanë takat të shtyjnë as agjenda federalizmi, bile – më keq se kaq – nuk do të kenë potencial as ta bëjnë Maqedoninë shtet të deetnizuar me karakter qytetar, siç është – fjala bie – Kosova. Prandaj, gjithë ajo me të cilën ata u kënaqën ishte që Marrëveshja e Ohrit të jetë një fasadë e bukur, që shqiptarët do ta perceptojnë si fitore, ndërsa kjo të ketë mbështetje ndërkombëtare.

Në anën tjetër, maqedonasit – duke e pranuar se nuk mund ta refuzojnë pafundësisht një marrëveshje të shkruar – ia dolën që megjithatë ta shpëtojnë karakterin unitar të shtetit dhe, përveç kësaj, të mos e dëmtojnë në asnjë pikë shtetin monoetnik maqedonas. Ashtu si në kushtetutën e vitit 1991, kur Maqedonia u pavarësua, edhe në kushtetutën e vitit 2001 (pas Marrëveshjes së Ohrit), përsëri bartës i sovranitetit të shtetit mbeti vetëm kombi maqedonas. Derisa në vitin 1991 maqedonasit ishin kombi dhe shqiptarët ishin kombësia, në kushtetutën e vitit 2001 maqedonasit përsëri mbetën kombi, ndërsa shqiptarët u bënë bashkësia etnike. Edhe preambula e kushtetutës së vitit 1991 (Maqedonia është konstituuar si shtet kombëtar i kombit maqedonas në të cilën sigurohet barazi e plotë qytetare (pra, jo etnike – shënimi ynë) dhe bashkëjetesë e vazhdueshme e kombit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe kombësitë e tjera që jetojnë në Republikën e Maqedonisë…”), edhe ajo e vitit 2001 (“Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, populli maqedonas, si dhe qytetarët të cilët jetojnë brenda kufijve të saj të cilët janë pjesë e popullit shqiptar…) statusin e kombit ua njeh vetëm maqedonasve, ndërsa shqiptarët i radhit në atë që në gjuhën e konventave ndërkombëtare quhen minoritete. Në të vërtetë, nocionet kombësi dhe bashkësi etnike prof. Ukshin Hoti i konsideron si kategori që përdoren për komunitete që nuk kanë arritur pjekurinë politike për të qenë komb.

E meqë kombi, sipas teorive moderne sociale, është një bashkësi, anëtarët e së cilës i njohin të drejta të barabarta njëri-tjetrit dhe përpiqen për ngritjen e një sfere publike të përbashkët, që nënkupton ekzistencën e një njësie politike, siç është shteti, i bie se në Maqedoninë e Veriut sot është vetëm një komb (maqedonasit) dhe disa bashkësi ose minoritete etnike, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët. Kështu ishte projektuar edhe Maqedonia në ASNOM (2 gusht 1944) dhe kështu vazhdoi të mbetet edhe me Marrëveshjen e Ohrit. Kjo nënkupton se shqiptarët nuk janë komb shtetformues, siç pretendojnë nëpër oda e kafene disa politikanë të painformuar, për të mos thënë injorantë. Sepse, po të kishin shqiptarët status kombi, kjo do të do të nënkuptonte një shtet binacional ose, në rastin më të keq, një shtet njëmend qytetar, ku kombi i dytë shumicë do të ishin shqiptarët. Momenti i dytë i preambulës është se edhe definicionin popull e ka rezervuar vetëm për maqedonasit, ndërsa shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut i ka vendosur në kategorinë “pjesë e popullit”. Pra, shqiptarët nuk janë tërësia dhe bërthama (si maqedonasit), por janë pjesa, duke nënkuptuar se shqiptarë janë komb dhe popull vetëm në Shqipëri. Këtu duhet të shpjegojmë se nocioni popull në konventat ndërkombëtare është i rëndësishëm për faktin se OKB-ja në kartat e saj e ka përcaktuar se “popujve u mundësohet vetëvendosja”. Ndërkaq, duke qenë “pjesë e një populli tjetër në një shtet ku nuk je komb”, shqiptarit të Maqedonisë së Veriut nuk i njihet e drejta e vetëvendosjes, një e drejtë kjo ekskluzive vetëm për kombin dhe popullin maqedonas.

Dhe, ndonëse këto janë interpretime teorike, që politikanët dinë t’i relativizojnë mirë, e vërteta është se këto definicione janë çelësi i asaj që ka vijuar në statusin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Duke mos qenë komb shtetformues, duke mos qenë popull vetëvendosës, kjo është reflektuar në të drejtat e tjera etnike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në këtë mënyrë, derisa gjuha maqedonase në kushtetutë përcaktohet si kodi i vetëm i komunikimit të shtetit (shteti i RMV-së flet vetëm maqedonisht), i bie se gjuha shqipe (në kushtetutë dhe në ligje emërtohet me një eufemizëm ofendues “Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen.”) është një gjuhë minoriteti me përdorim të zgjeruar, por që në asnjë rast nuk barazohet me maqedonishten. Thënë ndryshe, shqipja në RMV është gjuhë e përkthyer, që mund të flitet dhe shkruhet, por vetëm pranë maqedonishtes. Kjo u pa këto ditë edhe në “skandalin” e kryetarit të Kuvendit Republikan, Talat Xhaferi, i cili në një ngjarje zyrtare jashtë shtetit foli në gjuhën shqipe dhe pasi vijuan reagimet dhe kërkesat për interpelancë se ai ashtu e kishte thyer ligjin, erdhën arsyetimet e tij banale se “atë gjuhë e di më së miri”, ndërkohë që ai e di fort mirë se duke e përdorur gjuhën shqipe në takime zyrtare jashtë shtetit, vërtet e ka thyer kushtetutën dhe ligjin. (Sa për krahasim, me kushtetutën e Jugosllavisë, të vitit 1974, shqipja formalisht mund të përdorej edhe në diplomaci, sado që praktikisht nuk është përdorur). Definicionet e dëmshme për statusin e shqiptarëve në RMV kanë reflektuar edhe në Ligjin për arsim sipëror (derisa për maqedonasit garantohet arsim sipëror maqedonisht, për shqiptarët arsimi sipëror mundësohet në institucione arsimore tregjuhëshe), në përfaqësimin e drejtë dhe adekuat (ky parim nuk është bërë normë ligjore, andaj ka ngelur në vullnetin e maqedonasve dhe sot kemi institucione që nuk kanë as 5% shqiptarë dhe kemi maqedonas që deklarohen si shqiptarë që të mund të punësohen), në shpërndarjen e buxhetit (nuk është vendosur asnjë mekanizëm që buxheti të shpërndahet në mënyrë të barabartë edhe në zonat shqiptare), në risocializimin e pjesëmarrësve në konflikt (“branitellët” maqedonas fituan ligj për veteranë të luftës, ndërsa veteranët e UÇK-së bredhin rrugëve), në vendosjen e drejtësisë etj.

Madje, që cinizmi të jetë i plotë, shqiptarët – me Marrëveshjen e Ohrit – nuk do të jenë “shqiptarë”, por “bashkësia etnike joshumicë që është mbi 20%”. Nënteksti i këtyre formulimeve është se: 1) shqiptarët nuk janë të denjë të përmenden në mënyrë eksplicite dhe 2) nëse ndonjëherë ndodhë që ndonjë regjistrim i popullsisë t’i nxjerrë shqiptarët nën 20%, automatikisht mund të zhbëhet edhe korpusi i të drejtave të tyre. (Përqindja e shqiptarëve është arsye që Maqedonia e Veriut është shteti i vetëm në Europë që nuk arrin të organizojë regjistrim të popullsisë në 20 vjetët e fundit.)

Kundruar kështu, mund të përfundojmë se me Marrëveshjen e Ohrit maqedonasit ia dolën ta ruajnë shtetin monoetnik (emri i shtetit, simbolet, himni, gjuha etj.), ndërkombëtarët e shpëtuan këtë shtet nga një luftë civile dhe Ballkanin nga një konflikt i pakontrolluar, duke e orientuar në agjendën euro-atlantike, ndërsa faturën e paguan shqiptarët. Shqiptarët u desh të kënaqen me ndryshime kozmetike, me pak pushtet fiktiv, por duke humbur një shans të madh historik që ta kthejnë Maqedoninë në shtet të barazisë, që mund të përkthehej si shtet binacional ose si shtet i vërtetë qytetar.

Dhe, tash – 20 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit – në vend se shqiptarët të flasin se cili është statusi i tyre juridiko-kushtetues në RMV, ata mburren me përfaqësim të atykëtushëm në dikastere ku më parë nuk ka pasur shqiptarë. Ndërkaq, për ta banalizuar temën e përfaqësimit të shqiptarëve, partia maqedonase LSDM tashmë ka krijuar kuadrot e veta shqiptare, që i ka vendosur në poste të larta, për t’u thënë shqiptarëve “se nëse barazia është përfaqësim, ja edhe shqiptarët e mi”. Vetëm tash shqiptarët në RMV vijnë te konstatimi se përfaqësimi nuk është vetvetiu zgjidhja nëse ky përfaqësim nuk buron nga statusi juridiko-kushtetues i shqiptarëve në shtet dhe nëse nuk niset nga kauza për të qenë komb dhe popull në RMV. Edhe në ish Jugosllavi shqiptarët kanë pasur përfaqësim të nivelit të lartë – Sinan Hasani ka qenë kryetar i Jugosllavisë, ndërsa Vullnet Starova ka qenë kryetar i Kuvendit të Maqedonisë socialiste, por kjo nuk është përkthyer me republikë të shqiptarëve si republikat e tjera, e as me komb shqiptar.

Korniza si kufi

Kur Marrëveshjes së Ohrit i jemi qasur me këso llupe në dorë, vijmë edhe te çështja se a ka nënkuptuar korniza e saj një kornizë që do ta zhvillojë më tej shtetin multietnik apo ka qenë ajo një kornizë që e ka mbyllur shtetin monoetnik dhe e ka vendosur plafonin se deri ku arrijnë të drejtat etnike të shqiptarëve? Kështu, nëse MO-ja e ka përcaktuar se shqiptarët në RMV nuk janë as komb e as popull, se gjuha shqipe është gjuhë e përkthyer, se përfaqësimi është sipërfaqësor dhe jo substancial, se shpërndarja e buxhetit nuk e reflekton shoqërinë shumetnike, nuk mund të mos konkludojmë se korniza e Marrëveshjes së Ohrit në vend që të jetë mundësi e zgjerimit është bërë kufiri i të drejtave të njeriut (shqiptarëve) në Maqedoninë e Veriut. E kur Marrëveshjes së Ohrit i shtohet edhe mbështetja ndërkombëtare, vetëkuptohet se korniza e Ohrit është kufiri dhe jo shtegu. Por, stabilitetin e Ballkanit, të dëshiruar nga ndërkombëtarët, duhet ta paguajnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Derisa të gjithë të tjerëve, përfshirë edhe maqedonasit, u lejohet t’i ndërtojnë projektet e tyre nacionaliste, shqiptarëve në RMV u është vendosur kufiri – “ju jeni minoritet me të drejta të avancuara”. (Sa për krahasim, serbët në Kosovë janë gati pesëfish më pak se shqiptarët në RMV, por serbët janë komb shtetformues në shtetin qytetar të Kosovës, ndërsa serbishtja është gjuhë e dytë zyrtare e përcaktuar me kushtetutë.)

Që agjenda e shuarjes së apetiteve etnike të ketë efekt më të mirë, shteti i Maqedonisë së Veriut, qoftë përmes partive shqiptare, por edhe përmes opinionistëve të ndryshëm, ka arritur që shqiptarin e RMV-së ta reduktojë nga ambiciet politike për të qenë komb shtetformues dhe popull me të drejtë për vetëvendosje, në bashkësi etnike, shumë shpesh edhe në individ, që nacionalizmin e sheh si të tejkaluar dhe të dalë mode, andaj në emër të shoqërisë qytetare, që në RMV është një nocion fiktiv, sot idealet e shqiptarit të Maqedonisë në të shumtën e rasteve janë bërë kërkesat ekonomike (punësim, avancim, vendim pune, para për votë etj.), që si epilog e ka mbështetjen që e gëzon LSDM-ja te shqiptarët, të cilët në jo pak raste e kanë për mburrje që i takojnë një partie maqedonase, që është trashëgimtare e Partisë Komuniste të Maqedonisë.

Koha për ridefinim

Megjithëse maqedonasit mendojnë se ua kanë hedhur shqiptarëve me Marrëveshjen e Ohrit, megjithëse shqiptarët e BDI-së e shesin MO-në si fitore historike, megjithëse ndërkombëtarët (SHBA dhe BE) gjykojnë se me MO-në Maqedonia e Veriut është bërë një shtet normal funksional me mundësi reale për integrim, e vërteta është brutale. Sipas disa statistikave të Bankës Botërore, diku 300 mijë shqiptarë janë shpërngulur nga Maqedonia e Veriut vetëm nga viti 2002 e këndej. Kjo shifër, sado që mjeshtrit e PR-it mundohen ta arsyetojnë se “shpërngulje ka nga të gjitha vendet e Ballkanit”, është treguesi më i mirë se ky eksod i shqiptarëve nga Maqedonia bëhet nga mungesa e perspektivës për jetë në këtë vend. Korniza aq mundëson.

Përveç shpërnguljes, definicionet e gabuara për shtetin e mbajnë gjallë diskriminimin dhe e ushqejnë pabarazinë. Shih vetëm Ligjin për përdorimin e gjuhës maqedonase dhe atë që i referohet gjuhës shqipe dhe gjithçka bëhet e qartë. Ose, siç parashikonte MO-ja, derisa për maqedonasit që ishin pjesëmarrës në konfliktin e vitit 2001 është miratuar ligj për veteranët e forcave të armatosura, për shqiptarët kjo është e ndaluar. Madje, këtë nuk ka arritur ta imponojë as BDI-ja, si pjesëmarrëse gati e secilës qeveri. Bile, pas shpalosjes së fushatës gjelbëruese, ajo e ka harruar tashmë këtë temë.

Pas krejt kësaj, si dhe duke e ndjerë Maqedoninë e Veriut nga terreni i takimeve me njerëz të ndryshëm, nuk mund të mos konkludojmë se – përkundër ndryshimeve pozitive – Marrëveshja e Ohrit nuk e ka prekur fare esencën e shtetit, nuk ka arritur ta eliminojë diskriminimin dhe ta vendosë barazinë dhe në vend që të jetë mundësi për kohezion shoqëror, është shndërruar në kufi për avancimin e të drejtave etnike dhe qytetare.

Kjo është arsyeja që të përfundojmë se Maqedonia e Veriut ka nevojë për një marrëveshje të re, pa ngutje e presione, por me definicione që do ta normalizojnë shtetin, që do ta vënë në binarë funksionalë dhe që shoqërinë shumetnike do ta reflektojnë edhe në ndërtimin e shtetit.

Në të kundërtën, shqiptarët do të aktrojnë se e përjetojnë Maqedoninë e Veriut si atdhe të tyre, ndërsa shteti do të aktrojë se shqiptarët i konsideron si pjesë e barabartë e tij.