Delegacioni i kongresistëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam ka zhvilluar sot një vizitë në Luginën e Preshevës, ku është takuar me përfaqësues politikë dhe institucionalë të shqiptarëve në krahinën Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në jug të Serbisë.

Ata janë pritur nga deputeti Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi dhe nënkryetarin e komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, përcjell INA.

Kongresmeni amerikan Keith Self, pas takimeve në terren, theksoi se vizita ka për qëllim të kuptojë drejtpërdrejt situatën e pakicave në rajon.

“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, u shpreh ai.

Kongresisti Suhas Subramanyam ngriti shqetësime për pabarazitë strukturore që prekin shqiptarët në Serbi.

“Realiteti është që Serbia, për të ecur përpara, duhet të jetë në gjendje t’i adresojë këto çështje”, tha ai, duke përmendur sistemin e edukimit dhe zhvillimin e pabarabartë si probleme kryesore.

Në këtë vizitë u diskutuan edhe çështjet e ngritura prej vitesh nga përfaqësuesit shqiptarë, si pasivizimi i adresave, përjashtimi nga institucionet publike, diskriminimi ekonomik, mosnjohja e diplomave të Kosovës dhe mungesa e teksteve në gjuhën shqipe.

Deputeti Shaip Kamberi deklaroi se shqiptarët në Luginë përballen me një qasje sistematike diskriminuese nga Beogradi.

“Për vite me radhë, pushteti në Serbi ka ndërtuar një qasje sistematike të margjinalizimit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë: pasivizim administrativ, përjashtim nga institucionet shtetërore, diskriminim ekonomik dhe mohimi i të drejtave gjuhësore e kombëtare”, u shpreh Kamberi.

Ai shtoi se mbështetja ndërkombëtare është jetike për të ndryshuar këtë realitet.

“Angazhimi amerikan dhe iniciativa në Kongresin amerikan janë me rëndësi të jashtëzakonshme. Ky është një mesazh i qartë se standardet e dyfishta nuk mund të jenë pjesë e së ardhmes evropiane të Serbisë”, theksoi ai.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, dhe nënkryetari i komunës Ragmi Mustafa ngritën shqetësimet e komunitetit shqiptar lidhur me diskriminimin institucional dhe mungesën e zhvillimit ekonomik në Luginë.

Një ditë më parë, delegacioni amerikan është takuar edhe me zyrtarë në Beograd, përfshirë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, ndërsa kryeparlamentarja serbe, Ana Bërnabiç i ka ikur takimit, ku duhej diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe gjendjen e komunitetit shqiptar në këtë rajon.

Pas vizitës në Luginë, kongresistët amerikanë pritet të vazhdojnë turneun në Ballkan me ndalesë në Kosovë, ku do të takohen me krerët e shtetit më 27 maj.(INA)

sqShqip