Një femicid i rëndë dyshohet se ka ndodhur në Bogdanc, ku viktimë është 17-vjeçarja Biljana Kiriq, ndërsa si autor i dyshuar për vrasjen përmendet 21-vjeçari Viktor Guntarov, i cili gjithashtu u gjet i vdekur pranë veturës së djegur. Tragjedisë i kishin paraprirë denoncime të shumta për dhunë fizike, kërcënime dhe masa gjyqësore për ndalimin e afrimit, të cilat, sipas informacioneve të publikuara, nuk e kishin parandaluar ngjarjen tragjike, përcjell tetova1
Familjari i Biljanës, në një deklaratë për gazetën „Sloboden Peçat“, ka rrëfyer se vajza për muaj të tërë ishte keqtrajtuar, rrahur dhe sulmuar nga Guntarov, madje edhe në vende publike. Sipas tij, ajo e kishte denoncuar disa herë në polici, por pavarësisht masave mbrojtëse të shqiptuara ndaj tij, dhuna kishte vazhduar.
Biljana kishte qenë për një kohë të gjatë në lidhje me 21-vjeçarin, por kishte dëshiruar t’i jepte fund marrëdhënies. Sipas dëshmisë së familjarit, Guntarov e kishte detyruar të hipte në veturë, pas së cilës dyshohet se e kishte dërguar në vendin ku ndodhi tragjedia.
„Ishte një vajzë shumë e dashur. Vijonte shkollën e mesme të mjekësisë dhe kryente praktikën në spitalin e Gjevgjelisë. Nuk arrinin ta shkëputnin prej tij. E keqtrajtonte për një kohë të gjatë. Të gjitha institucionet kanë dështuar, por më së shumti Qendra për Punë Sociale“, ka deklaruar familjari për „Sloboden Peçat“.
Denoncimet për dhunë dhe kërcënime kishin nisur që në shtator
Sipas informacioneve zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 1 tetor 2026, në orën 01:30, babai i Biljanës, Xhoko Kiriq (46), kishte denoncuar në polici se një natë më parë, rreth orës 21:00, vajza e tij 17-vjeçare ishte sulmuar fizikisht nga Viktor Guntarov në shtëpinë e tij familjare në Bogdanc.
Sipas denoncimit, pas një zënke verbale mes tyre, Guntarov e kishte kërcënuar me jetë nëse largohej nga shtëpia, ndërsa ia kishte dëmtuar edhe telefonin celular, me qëllim që ajo të mos kishte mundësi të kontaktonte policinë.
Në një moment, Biljana kishte arritur të largohej nga shtëpia përmes dritares. Ndihmë i kishin ofruar kalimtarë të rastit, të cilët kishin njoftuar policinë, ndërsa vajza ishte dërguar në Ndihmën e Shpejtë të Spitalit të Përgjithshëm në Gjevgjeli.
Edhe Ministria e Punëve të Brendshme kishte konfirmuar se më 30 shtator, rreth orës 21:00, Guntarov ishte ndaluar pas denoncimit për sulm fizik ndaj të dashurës së tij. Për rastin ishte njoftuar prokurori publik.
Më 16 tetor, Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli kishte pranuar një tjetër denoncim për rrezikim të sigurisë së të miturës dhe kishte nisur procedurë. Ishin caktuar termine për marrjen në pyetje dhe ishin lëshuar urdhra për ekspertiza.
„Pas denoncimit, menjëherë ka filluar të veprohet, ndërsa ndërkohë, në procedurë civile, personit i ishin shqiptuar masa mbrojtëse nga dhuna në familje“, bëjnë të ditur nga Prokuroria.
Në kuadër të kësaj procedure, gjykata i kishte ndaluar Guntarovit t’i afrohej dhe ta shqetësonte Biljanën. Sipas informacioneve të publikuara, masat mbrojtëse ishin ende në fuqi kur ndodhi tragjedia.
Si u zbulua tragjedia pranë Bogdancit?
Ngjarja tragjike u zbulua më 3 nëntor, rreth orës 18:40, kur një banor i Bogdancit kishte njoftuar policinë se në vendin e quajtur „Içeva Çeshma“, në zonën e Gorno Sellos, kishte vërejtur një veturë të parkuar që ishte përfshirë nga zjarri dhe një trup të pajetë pranë saj.
Policia konstatoi se trupi i pajetë i përkiste V.G. (21) nga Bogdanci. Pas shuarjes së zjarrit, brenda automjetit ishte gjetur edhe një person tjetër i djegur, pa shenja jete, që më pas u identifikua si 17-vjeçarja Biljana Kiriq.
Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara nga mediumi „Skopje1“, Guntarov dyshohet se e kishte pritur Biljanën para një palestre në Gjevgjeli, e kishte futur me forcë në veturë dhe ishte nisur drejt Bogdancit.
Po ashtu, sipas informacioneve jozyrtare, janë siguruar pamje nga kamerat e sigurisë në disa lokacione të qytetit, në të cilat dyshohet se shihet momenti kur Guntarov e merr vajzën me veturë dhe drejtohet drejt vendit ku ndodhi tragjedia. Këto informacione ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Prokuroria dyshon për vrasje dhe vetëvrasje
Nga Prokuroria Themelore Publike bëjnë të ditur se indikacionet e para tregojnë për vrasje dhe vetëvrasje, por theksojnë se rasti do të hetohet plotësisht.
„Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ka lëshuar disa urdhra për sigurimin e provave, me qëllim që të hetohen shkaqet e ngjarjes. Është dhënë urdhër për autopsinë e trupave të personave të ndjerë, ndërsa janë siguruar edhe incizimet nga kamerat e mbikëqyrjes. Indicitë fillestare çojnë drejt dyshimeve për vrasje dhe vetëvrasje, megjithatë ngjarja do të hetohet plotësisht“, njoftoi Prokuroria.
Me urdhër të prokurorit publik, të dy trupat janë dërguar për obduksion, ndërsa autoritetet po analizojnë provat dhe incizimet e siguruara për të zbardhur rrethanat e plota të tragjedisë.
Rasti ka ngritur reagime dhe pikëpyetje serioze për mënyrën se si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave, veçanërisht kur viktimat kanë denoncuar më parë dhunën dhe kur ndaj autorëve të dyshuar janë shqiptuar masa mbrojtëse.
Vdekja e 17-vjeçares Biljana Kiriq rikthen në vëmendje edhe përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e viktimave, në mënyrë që denoncimet për dhunë dhe kërcënime të mos mbeten vetëm procedura në letër./tetova.mk

