Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, e ka uruar Justina Shiroka Pulën për zgjedhjen Presidente të Republikës së Kosovës, duke e vlerësuar zgjedhjen e saj si një hap të rëndësishëm për forcimin e stabilitetit institucional dhe politik në Kosovë.
Mexhiti ka theksuar se Shiroka-Pulën e njeh përmes kontributit të saj intelektual dhe veprimtarisë akademike në fushën e ekonomisë, duke e cilësuar atë si një intelektuale të dëshmuar.
“Zgjedhja e Justina Shiroka Pulës është një hap i rëndësishëm për Kosovën, për forcimin e stabilitetit institucional dhe politik dhe për një frymë të re përgjegjësie në një kohë sfiduese për shtetin e Kosovës dhe për krerët e UÇK-së, të cilët po përballen me një proces të padrejtë gjyqësor”, ka shkruar Mexhiti.
Sipas tij, konsensusi politik i arritur për zgjedhjen e Presidentes së re tregon pjekuri politike dhe krijon hapësirë për tejkalimin e ngërçeve institucionale.
Në këtë kontekst, Mexhiti ka përgëzuar kryeministrin Albin Kurti për, siç ka thënë, maturinë dhe përgjegjësinë e treguar në këtë moment.
“Kosova ka nevojë për institucione të forta, stabilitet dhe unitet politik”, ka shkruar Mexhiti, duke e përmbyllur mesazhin me urimin: “Urime Kosovë!”

