Ardhmëria e Maqedonisë është federalizimi.

Federalizimi sipas modelit të Tirolit, Belgjikës apo Kanadasë është e ardhmja e këtij vendi. Maqedonia de facto është shtet binacional, ndërsa de jure shtet unitar. Kjo gjë, apo ky eksperiment, nuk funksionon, jo për faj të shqiptarëve, por për shkak të elitës politike dhe pseudo-patriotëve që janë në shërbim të politikave të Beogradit dhe Moskës, të cilët punojnë kundër të ardhmes së këtij shteti dhe kundër bashkëjetesës.

Shqiptarët e duan Maqedoninë, e duan bashkëjetesën, por të barabartë me maqedonasit.
Elita politike maqedonase ka punuar dhe vazhdon të punojë në kundërshtim me të drejtat e shqiptarëve që i garanton Kushtetuta dhe Marrëveshja e Paqes e Ohrit.
Të drejtat e shqiptarëve anashkalohen apo shkelen, varësisht nga vullneti politik i partisë maqedonase që merr mandatin për të qeverisur me shtetin.

Ligji për gjuhët (gjuha shqipe) nuk implementohet, edhe pse është garantuar me Marrëveshjen e Paqes të Ohrit dhe Kushtetutën. Nuk ka vullnet politik që të implementohet.
Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, po ashtu i garantuar me Kushtetutë, nuk implementohet. Nuk ka vullnet politik.

Decentralizimi i pushtetit, një ndër shtyllat e Marrëveshjes së Paqes të Ohrit, nuk është implementuar dhe nuk po implementohet. Nuk ka vullnet politik.
Ndarja e mjeteve në mënyrë jo proporcionale, mungesa e vullnetit politik dhe diskriminimi në të gjitha poret e jetës vazhdojnë të jenë problem.
E ashtuquajtura Gjykatë Kushtetuese, me vendimet e saj skandaloze dhe të njëanshme, nën ndikimin e qeverisë dhe politikave ditore, merr vendime në dëm të implementimit të ligjeve që burojnë nga Marrëveshja e Paqes e Ohrit dhe që votohen me Badenter.

Në Gjykatën e ashtuquajtur Kushtetuese, gjyqtarët shqiptarë anashkalohen dhe mbivotohen.
Ligji për përdorimin e flamurit tonë kombëtar – përfaqësuesit shqiptarë u mbivotuan dhe u anashkaluan.

E njëjta ndodhi edhe me Ligjin për Gjuhët dhe me shfuqizimin e Balancuesit.
Me vendim të po kësaj gjykate, u hoq e drejta prindërore që, përveç emrit dhe mbiemrit, prindi të ketë të drejtën natyrore të regjistrojë edhe përkatësinë kombëtare të fëmijës së vet.
Gjithashtu, po u drejtohem deputetëve, atyre shqiptarë dhe jo shqiptarë: mos vraponi të siguroni vota për ligje që dëmtojnë shqiptarët, sepse edhe ju do të mbani përgjegjësi.

Këto të drejta dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2001 janë të drejta të fituara me sakrificë dhe me gjakun e luftëtarëve dhe dëshmorëve të UÇK-së

Me respekt,
Rafis Aliti

sqShqip