April 26, 2024
Lajmet e reja

Intervistë ekskluzive me kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi: Marrëveshja jonë për Qeveri parash zgjidhje të problemeve të shqiptarëve

Intervistoi: Arife Morina, Bota Sot

Ditë më parë, me shumicë votash, 62 pro dhe 46 kundër, parlamenti i Maqedonisë së Veriut e votoi qeverinë e re të vendit, e cila do të drejtohet nga socialdemokrati Dimitar Kovaçevski.

Formimin e kësaj qeveri e mbështeti edhe partia shqiptare Alternativa me kryetarin e saj Afrim Gashi.

Në një intervistë ekskluzive pë gazetën “Bota sot”, kryetari i Partisë Alternativa, Afrim Gashi komentoi situatën politike në Maqedoninë e Veriut.

Fillimisht, Gashi tregoi arsyen e mbështetjes së formimit të qeverisë së re dhe synimet e tij për ngritjen e projektligjeve për të mirën e shqiptarëve.

Krahas kësaj, kryetari i Partisë Alternativa tha se edhe kryeministri i ri do të ecë hapave të Zaevit, duke e mbështetur nismën “Ballkani i Hapur”.

Mirëpo, sipas Gashit “Open Balkan” ka kuptim vetëm nëse në të përfshihen edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja. Në të kundërtën, kështu siç është me vetëm këto tri shtete, nuk shoh se ka perspektivë”.

Gjithashtu, ai foli edhe për marrëdhëniet e RMV-së me Kosovën, të cilat i vlerësoi se janë të mira dhe se bashkëpunimi po thellohet.

Intervista e plotë:

Gazeta “Bota sot”: Si është situata politike në Maqedoninë e Veriut?

Gashi: Situata politike në Maqedoninë e Veriut është, përgjithësisht, stabile. Ne sapo e kemi krijuar një shumicë të re parlamentare, e cila e ka votuar edhe përbërjen e re qeveritare të propozuar nga, tashmë, kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Aktualiteti më i rëndësishëm në Maqedoninë e Veriut është procesi euro-integrues i shtetit tonë në Bashkimin Europian, që – siç e dihet – është i lidhur edhe me procesin që zhvillohet për Shqipërinë. Megjithatë, për shkak të kontestit që Maqedonia e Veriut e ka me Bullgarinë rreth disa temave të historisë, por edhe gjuhës etj., ky proces ka ngecur. Megjithatë, ardhja e qeverisë së re në Sofje dhe votimi i qeverisë së re Shkup po shihen edhe si mundësi për zhbllokimin e këtij ngërçi, në mënyrë që edhe Maqedonia e Veriut, por edhe Shqipëria, të mund të marrë datë për fillimin e negociatave përnderim në BE.

Gazeta “Bota sot”: Së fundmi, është formuar edhe qeveria e re e RMV-së, sa beson se kjo qeveri do të arrijë ta përfundojë mandatin e saj?

Gashi: Në të vërtetë, nuk ka asnjë arsye që kjo të mos ndodhë. Kjo qeveri ka një shumicë të qëndrueshme parlamentare në Kuvend, ka një agjendë të qartë euro-integruese, po bën hapa konkrete në këtë drejtim dhe prandaj nuk shoh arsye që mandat i saj të ndërpritet.

Gazeta “Bota sot”: Gjithashtu, edhe ju me partinë tuaj, Alternativa jeni bërë pjesë e qeverisë, çfarë ju shtyu të merrni një vendim të tillë?

Afrim Gashi: Këtu më duhet t’ju shpjegoj se para se të vendosnim të bëhemi pjesë e shumicës parlamentar edhe e kësaj qeverie, Alternativa iu bashkua nismës së opozitës për rrëzimin e kësaj qeverie. Megjithatë, në moment të fundit një deputet dështoi dhe raporti mes forcave në Kuvend mbeti 60-60. Kjo ishte bllokade reale e shtetit, sepse le që asnjëra palë nuk kishte shumicë, por as nuk mund të shpalleshin zgjedhje të reja. Prandaj, ne e rishqyrtuam pozicionin tonë. Së pari gjykuam se nuk është mirë që në Shkup të mos ketë qeveri që mund ta zgjidhë kontestin me Sofjen, ndërsa – së dyti – mungesa e qeverisë e rëndonte edhe procesin integrues. Dhe, kjo përveç që u pa si vendim i drejtë shtetëror në Maqedoninë e Veriut, u përshëndet edhe nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, ngase kështu krijuam stabilitet politik, që mund ta zgjidhte problemin me Bullgarinë dhe ta hapte perspektivën integruese për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë. Përveç kësaj, angazhimi ynë në qeveri është përmes një marrëveshjeve mes nesh dhe ish kryeministrit Zoran Zaev, e cila përfshin 9 pika, disa nga të cilat kanë të bëjnë me interesa shtetërore, disa me të drejta të shqiptarëve në këtë shtet, disa me zhvillimin ekonomik të rajoneve të pazhvilluara, veçmas të rajoneve shqiptare, ndërsa një pikë ka të bëjë me monitorimin e proceseve gjyqësore, për të cilat dyshohet se ka pasur implikime politike.

Gazeta “Bota sot”: Pasi jeni pjesë e qeverisë së re, a do të synoni të ngritni rezoluta dhe projektligje në të mirë të popullit shqiptar?

Afrim Gashi: Natyrisht, ne jemi aty për t’i përfaqësuar shqiptarët. Këtë e kemi dëshmuar me krejt angazhimin tonë politik. Zaten, nuk ka kuptim tjetër angazhimi politik nëse nuk bëhet për këtë arsye. Sigurisht, tash nga pozita e qeverisë kemi në dorë shumë më tepër mundësi që realisht t’u ndihmojmë të gjithë shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë.

Gazeta “Bota sot”: Si keni marrëdhëniet me partitë e tjera shqiptare dhe sa janë të hapura ato për bashkëpunim?

Gashi: Në përgjithësi, kemi relacione shumë të mira me të gjitha subjektet politike në vend, e veçmas me ato shqiptare. Deri tash kemi qenë në koalicion me Aleancën për Shqiptarët dhe kjo ka prodhuar suksese, ndërsa në të ardhmen nuk përjashtohet mundësia që kjo të përsëritet. Derisa jemi në skenë, ne kemi bashkëpunuar dhe do të vazhdojmë të shfaqim korrektësi edhe më tej në komunikimin dhe bashkëpunimin me partitë shqiptare kur bëhet fjalë për interesa që i tejkalojnë interesat e ngushta grupore, partiake e politike.

Gazeta “Bota sot”: A ka refuzuar ndonjëherë BDI të bashkëpunojë me ju për të mirë të shqiptarëve?

Afrim Gashi: Nuk është se kam mbajtur ndonjë evidencë për këtë, por si shembull të këtillë mund të them se ajo fillimisht ishte kundër propozimit tonë të Ligjit për shtetësi, por me kalimin e kohës reflektoi dhe pastaj edhe ajo e votoi atë ligj.

Gazeta “Bota sot”: Çka fitojnë shqiptarët në Maqedoni, në identitetin e tyre nga veprimtaria juaj politike, çfarë ju premtoni si popull që dikur kishte barazia kushtetuese me sllavomaqedonasit?

Afrim Gashi: Ajo që ne nuk e premtojmë, por e realizojmë drejtpërdrejt është marrëveshja që e kemi arritur me LSDM-në. Përveç kësaj, angazhimi ynë është që sa pak të rinj ta braktisin vendin dhe këtë jemi duke u përpjekur ta bëjmë me krijim të vendeve të reja të punës, me ndihmesën që u jepet të rinjve për të gjetur punë, me udhëzimet dhe kualifikimet profesionale dhe krijimin e mirëqenies së mjaftueshme për jetë dinjitoze në Maqedoninë e Veriut.