May 15, 2024
Kosovë

Ikona e Reçakut, William Walker, vjen me bastun “në fshatin e tij” (VIDEO)

Nuk mungoi në thuajse asnjë përvjetor.

As kur ardhjen ia pamundësoi pandemia. E as kur ish-krerët shtetërorë nuk e morën për homazhe, raporton Klan Kosova.

Por ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë William Walker mori pjesë edhe këtë 15 janar kur po shënohet 25 vjetori i masakrës së Reçakut.

88 vjeçari, që këtë herë erdhi me shkop mbështetës, e i cili një ditë pas masakrës nuk nguroi ta quajë krim kundër njerëzimit, tha se ardhja në Reçak është çdoherë emocionale.

Ky është i dashur edhe për më të vegjlit të cilët i dhurojnë edhe lule.

E pasi bëri homazhe tek martirët, shkoi në akademinë përkujtimore për fjalimin e të cilit, reçakasit duartrokitën e u zgjuan në këmbë.

Për amerikanin, ky fshat i Shtimës do të jetë i ngulitur në memorien e tij.

Për William Walker, në afërsi të kompleksit memorial në Reçak, u pat ndërtuar edhe një shtatore. /Klankosova.tv