Hidrocentralet “Kozjak” dhe “Sveta Petka” e mbyllin tremujorin e tretë me rezultate mbi planin dhe me gatishmëri të lartë teknike për sezonin e ardhshëm.
Gjatë vizitës së punës të Bordit drejtues të SHA EMV në HEC “Kozjak” dhe HEC “Sveta Petka”, drejtori i HES “Treska”, Astrit Iljazi, prezantoi rezultatet e arritura në prodhimin e energjisë elektrike, aktivitetet operative dhe gjendjen teknike të kapaciteteve hidroenergjetike.
Sipas të dhënave të prezantuara, deri në fund të tremujorit të tretë të vitit, HEC “Kozjak” ka prodhuar 92.307 MWh energji elektrike, duke tejkaluar planin e përcaktuar me bilancin energjetik për mbi 22%.
Ndërkohë, HEC “Sveta Petka” ka prodhuar 40.722 MWh, ose 14% më shumë se sasia e planifikuar për këtë periudhë.
Rezultatet pozitive janë mbështetur nga gjendja e favorshme hidrologjike dhe shfrytëzimi optimal i potencialit prodhues. Të dy hidrocentralet hyjnë në sezonin e ardhshëm me rezerva të qëndrueshme ujore dhe gatishmëri të lartë teknike, duke kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e sistemit elektroenergjetik.
Gjatë takimit u diskutuan edhe projektet e rëndësishme zhvillimore, në veçanti Projekti për Hidrocentralin Reverzibil “Kozjak 3” dhe ndërtimi i Tunelit “Tenovë–Kozjak”, të cilat synojnë rritjen e kapaciteteve prodhuese, shfrytëzimin më efikas të potencialit ujor dhe forcimin e fleksibilitetit të sistemit elektroenergjetik.
“Rezultatet e arritura janë dëshmi e punës së vazhdueshme dhe menaxhimit efikas të kapaciteteve hidroenergjetike. Me investimet e reja, synojmë ta rrisim edhe më tej prodhimin vendor dhe kontributin e hidrocentraleve në stabilitetin energjetik të vendit”, u shpreh drejtori i HES “Treska”, Astrit Iljazi.
Vizita e Bordit drejtues të SHA EMV në HEC “Kozjak” dhe HEC “Sveta Petka” u fokusua në vlerësimin e rezultateve, gjendjes operative dhe projekteve të ardhshme për zhvillimin e kapaciteteve hidroenergjetike.

