Ekipet gazetareske nga Maqedonia e Veriut, të cilat po udhëtonin drejt Beogradit për të raportuar për zgjedhjet parlamentare në Serbi, janë ndaluar në një pikë kufitare për rreth dy deri në dy orë e gjysmë, me ç’rast u janë marrë pasaportat. Këtë e bëri të ditur gazetari Aleksandar Spasovski, gjatë një raportimi nga Beogradi për televizionin Sitel.

Sipas dëshmisë së tij, ndalimi ka përfshirë ekipin e Sitelit, por edhe gazetarë të tjerë nga Maqedonia e Veriut që udhëtonin për të ndjekur procesin zgjedhor, raporton 4news.mk.

“Për më shumë se dy, ndoshta dy orë e gjysmë, na u mbajtën pasaportat. Me gjasë po kryheshin disa kontrolle”, deklaroi Spasovski.

Pas pritjes, ekipeve gazetareske iu lejua hyrja në Serbi. Spasovski shpjegoi se, për shkak të ndalimit, ata mbërritën në Beograd vetëm 15 deri në 20 minuta para raportimit të drejtpërdrejtë.

" "

Në raportimin e tij, ai nuk bëri të ditur ndonjë arsye zyrtare për ndalimin dhe as nuk e identifikoi pikën kufitare ku kishte ndodhur ngjarja. Kontrollet e mundshme i përmendi vetëm si supozim.

Spasovski shtoi se, gjatë kalimit nëpër qendrën e Beogradit, kishte vërejtur praninë e policisë, por në atë moment nuk mund të vlerësonte se në qytet mbizotëronte një atmosferë veçanërisht e tensionuar./Zyrtare.net/

sqShqip