Drejtori i Drejtorisë së Librave Amë, Faton Fazliu, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja kolektive me sindikatat, e cila parasheh rritje graduale të pagave për të gjithë të punësuarit në këtë institucion gjatë tre viteve të ardhshme.
Sipas marrëveshjes, pagat e punonjësve do të rriten me nga 7 për qind çdo vit, duke filluar nga marsi i vitit 2026, ndërsa rritje të njëjta janë paraparë edhe për marsin e viteve 2027 dhe 2028.
Fazliu theksoi se që nga dita e parë e marrjes së detyrës, synimi i tij ka qenë që të lërë gjurmë përmes veprave konkrete.
“Që nga dita e parë kur kam marrë detyrën për të udhëhequr Drejtorinë e Librave Amë, e kam ndjerë si obligim që të mos jem vetëm kalimtar në këtë institucion, por të lë pas një gjurmë me vlerë reale”, ka deklaruar ai.
Ai vlerësoi se punonjësit janë shtylla kryesore e institucionit dhe meritojnë mbështetje dhe vlerësim më të madh.
“Punonjësit tanë janë fytyra e institucionit, janë ata që mbajnë peshën e punës së përditshme dhe meritojnë vlerësim, mbështetje dhe më shumë dinjitet”, ka theksuar Fazliu.
Drejtori i Librave Amë shtoi se marrëveshja është rezultat i bashkëpunimit me sindikatat dhe mbështetjes nga Qeveria.
“Jam i lumtur që sot po hedhim një hap të rëndësishëm përpara, jo vetëm për punonjësit tanë, por edhe për vetë dinjitetin e institucionit”, ka deklaruar Fazliu.

